LISBONË, 14 maj /ATSH-AFP/ – Qindra pushues britanikë priten që nga e hëna në Portugali, duke përfituar nga heqja e kufizimeve të udhëtimit, e akorduar nga Lisbona për tregun e saj kryesor turistik, një ndihmë për një sektor të prekur rëndë nga pandemia e COVID-19.
“Nga e hëna, priten rreth 30 fluturime, më shumë se gjysma e të cilave do të jenë në Faro, qyteti kryesor në rajonin turistik të Algarve”, tha Sekretarja e Shtetit për Turizmin, Rita Mendes.
“Ky është një treg shumë i rëndësishëm për Portugalinë, që në vitin 2019 mirëpriti më shumë se dy milionë britanikë”, theksoi ajo.
Meqenëse Londra njoftoi javën e kaluar se Portugalia ishte në “listën e gjelbër” të 12 vendeve ku shtetasit e saj do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga e hëna, pa qenë e nevojshme të qëndrojnë në karantinë gjatë kthimit të tyre, rezervimet në vendin iberik janë rritur me 182%, sipas operatorit turistik TUI, numri një në botë në turizëm.
Vendimi, i njoftuar të premten nga qeveria portugeze, gjithashtu do të lejojë tifozët anglezë të marrin pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve midis Manchester City dhe Chelsea më 29 maj.
Lidhjet me BM u pezulluan në janar për të frenuar përhapjen e COVID-19 përpara se të rivendosej në mes të prillit, por vetëm për udhëtimet që konsideroheshin “thelbësore”./ /ervo/























