Ballina Flash

Qendra për aftësimin e të rinjve në botën e kodimit në Dibër

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Një rrjet qendrash për trajnime intensive në dijet teknologjike që po krijohet në gjithë vendin, përfshi edhe Dibrën, do t’u krijojë mundësi të rinjve të talentuar të krijojnë të ardhura nga tregu botëror, pa lëvizur nga shtëpia.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me të rinjtë e Burrelit, ndërsa u foli për disa nga nismat e ndërmarra nga qeveria në funksion të nxitjes së punësimit.

Rama tha se “nuk është vetëm turizmi dhe agroturizmi por edhe mundësia që ne të investojmë më tepër te të rinjtë për t’i bërë ata gati për një treg që është shumë më i madh se Shqipëria, dhe që të ketë të ardhura shumë më të larta”.

“Mjafton të jenë të armatosur me dijet e teknologjisë dixhitale. Do të krijojmë rrjet qendrash edhe në Dibër për trajnime intensive me metodat bashkëkohore që brenda 4 muajsh të rinjtë të dinë se si hyhet në botën e kodimit, të krijimit të aplikacioneve, startup-eve dhe punëve për vete pa lëvizur nga shtëpia”, tha Rama.

Ai tha se “ka sot plot të rinj, nuk janë shumë, por janë mjaftueshëm si një provë që kjo është e mundur”.

“Pa pasur asnjë mbështetje ata kanë hyrë në tregun e madh global online dhe marrin 3-5 mijë euro”, tha Rama.

Ai tha se, “tani është koha për nisma të tilla pasi jemi përballur me sfida që do kishin rrëzuar përtokë një elefant dhe jo më një Shqipëri të vogël, me një tërmet të tmerrshëm katastrofik dhe me pandeminë. Kur ja kemi dalë me këto të dyja, si nuk ja dilkemi ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë?!”.

Kryeministri tha se “shtëpia ndërtohet nga themelet dhe ne e kemi gjetur shtëpinë e Shqipërisë në llucë, si ndërtim pa kushtet e duhura, që nga momenti në moment mund të rrëzohej nga kolapsi i brendshëm i financave të një shteti rrumpallë, pa semaforë, pa  rregulla qarkullimi, pa shtet. Një rrumpallë e madhe”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVJENË – SHBA: Mijëra ushtarë rusë në kufirin ukrainas
Artikulli tjetërBasha marrëveshje me Shoqatën e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: Ulje të taksave nën 0.5% të xhiros