Basha marrëveshje me Shoqatën e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: Ulje të taksave nën 0.5% të xhiros

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur marrëveshjen me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Në fjalën e tij, Basha tha se Partia Demokratike ka në ashtën e saj sipërmarrjen e lirë shqiptare, e në veçanti sipërmarrjen e vogël e të mesme. Kreu i opozitës, këtë marrëveshje e ka quajtur një hap drejt qëllimit madhor të PD për ringritjen ekonomike, zgjimit kombëtare ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.

“Të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12-mujore gjatë të cilës do të inspektohen por nuk do të gjobiten. Pra një moratorium mbi gjobat për 12 muaj. Koha e inspektimit për vit do të ulet ndjeshëm, 2-5 ditë për biznesin e vogël dhe të mesëm, 5-15 ditë për biznesin e madh dhe vetëm sipas analizës së riskut. Reformë e thellë fiskale që do të realizohet brenda 90 ditëve të para të qeverisjes sonë, përmes: Rritjes së kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milionë lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat. Vendosjes së totalit të taksave dhe tarifave vendore, një tavan prej 0.5 % të xhiros vjetore. Jo, biznesi i vogël, pra çdo sipërmarrje me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit do të ketë një tavan të taksave dhe tarifave vendore prej jo më shumë se 0.5 %”, u shpreh Basha.

Basha bëri të ditur uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 18 %. Gjithashtu dhe shfuqizimin me efekt të menjëhershëm të taksës Rama për karburantet për rreth 24 lekë për litër.

“Kjo do të ketë një efekt të menjëhershëm tek biznesi i vogël, por po kështu dhe biznesi i madh dhe ekonomia në tërësi. Metodologjia e caktimit të çmimit të energjisë për biznesin njësoj si dhe për popullatën do të reformohet tërësish dhe çmimi i energjisë për biznesin do të ulet ndjeshëm. Për çdo zhvillim teknologjik dhe informatikë, biznesit të vogël dhe të mesëm do t’i lihet një afat kohor i arsyeshëm për implementimin e tij. Në të njëjtën kohë qeveria do të ketë detyrimin ligjor të bëjë rimbursimin e kostove përkatëse. Praktika e sotme ku të gjitha prokurimet publike shkojnë në xhep të disa oligarkëve, ndërsa nënkontraktohet caktohen me kushte skllavërues do të marrë fund. Marrëveshja hynë në fuqi sot dhe zbatimi nis në ditën e parë të qeverisjes së re të dalë nga vota e 25 prillit”, përfundoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.