UASHINGTON, 18 mars /ATSH-AFP/ – Gjiganti amerikan Google do të investojë shtatë miliardë dollarë në zyrat dhe qendrat e të dhënave në SHBA dhe do të krijojë 10 000 vende pune këtë vit, njoftoi drejtuesi i saj, Sundar Pichai në një komunikatë.
“Google kërkon të bëhet pjesë integruese e rimëkëmbjes ekonomike”, konfirmoi ai duke shtuar se kjo përfshin investime në vende të ndryshme që janë të reja për Google dhe shtrihet në të tjera, në 19 shtete amerikane.
Mijëra vende pune do të krijohen në Atlanta, në kryqytetin federal Uashington, Çikago dhe Nju Jork”, theksoi Sundar Pichai.
Shtrirje të qendrave të të dhënave të Google janë parashikuar gjithashtu në Nebraska, Karolinën e Jugut, Virxhinia, Nevada dhe Teksas.
Njoftimi vjen ndërsa gjigandi i teknologjisë dhe lideri botëror për reklamat në internet po përballet me disa procese gjyqësore në SHBA për praktika antikonkurruese, të nisura në fund të vitit 2020./ /ec/






















