Ballina Aktualitet

Vokshi: Arsimi cilësor prioriteti ynë

TIRANË, 16 mars /ATSH – I. Vata/ Në një takim me mësues të arsimit parauniversitar, koordinatorja politike e PD, Albana Vokshi ngriti shqetësimin e degradimit të sistemit arsimor gjatë 8 viteve të qeverisë Rama.

“Më shumë se gjysma e nxënësve nuk kanë internet ose mjetet e duhura për shkollën online. Qeveria ka stimuluar uljen e cilësisë së mësimdhënies, duke mos investuar asnjë qindarkë për arsimin online. Mësimi online ka dështuar, sepse qeveria ka dështuar, duke rrezikuar që të rritet një brez kovid”, – tha Albana Vokshi.

Ata theksuan se në këtë kaos ku gjendet arsimi, nxënësit po dalin nga bankat e shkollës me shumë boshllëqe. Mësuesit ngritën edhe problemin e orëve shtesë të papaguara, duke e cilësuar sjelljen e qeverisë si keqtrajtim ndaj tyre.

“Pavarësisht braktisjes nga qeveria, dua t’ju falenderoj që nuk hiqni dorë, duke ju garantuar se me PD në qeveri, mësuesi, pedagogu do të jetë në qendër të vëmendjes, që arsimimi cilësor të jetë prioriteti ynë. Nëse një qeveri nuk investon në arsim, është një shoqëri e prapambetur. Prandaj ne do të investojmë në arsim, edhe si investimi më i madh që i kthehet ekonomisë dhe shoqërisë”, – theksoi Vokshi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Mbyllëm 22 universitet fantazëm dhe vendosëm ligjshmërinë në sistemin arsimor”, Kushi: 835 studentë ekselentë, të punësuar në administratë
Artikulli tjetërTekste shkollore falas për 250 mijë nxënës