Ballina Aktualitet

PD sulmon KPK-në: Vendime arbitrare në procesin e Vetingut

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Partia Demokratike ka denoncuar procesin e Vetingut, që sipas saj, po shndërrohet në farsë. Kështu, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi procesin “si një farsë të orkestruar nga Edi Rama, për të kapur sistemin e drejtësisë”, ndërsa solli rastin e një gjyqtari të papërshtatshëm, sipas Alibeajt, që kaloi Vettingun me urdhër të kryeministrit.

“Meqë qeveria hesht për vendimet arbitrare të komisionit të Vetingut, Partia Demokratike po sjell sot një denoncim, se si ky organ po minon procesin, për të vënë drejtësinë në duart e Edi Ramës. Ilir Toska, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, kaloi Vetingun në muajin qershor, ndonëse DSIK kishte dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një raport, që e cilësonte si të papërshtatshëm këtë gjyqtar, për të vijuar karrierën në drejtësi. Sipas raportit të DSIK, Toska ka marrë para në prani të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme, për të mos dhënë një masë disiplinore ndaj një gjyqtari. Gjithsesi, Ilir Toska e kaloi me sukses Vetingun, pasi është kandidat i Edi Ramës, për Këshillin e Lartë Gjyqësor”, deklaroi Alibeaj.

Gjatë seancës dëgjimore për Ilir Toskën,  relatori i KPK-së evidentoi shkresën e DSIK, që e cilësonte gjyqtarin si të papërshtatshëm, por tha se raporti ishte i paprovuar, ndaj edhe nuk e mori parasysh gjatë procesit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDebate për Teatrin në Këshillin Bashkiak, Veliaj: I vendosur që të ecim përpara
Artikulli tjetërSME-të realizojnë 55,5% të eksporteve shqiptare