TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Strukturat e Administratës Doganore, dega Shkodër, sekuestruan një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara nga një subjekt privat.
Sipas informacionit nga DPD, pranë kësaj dege doganore është paraqitur mjeti me targë AA953MT /ADR454, ardhur tranzit nga dogana e Vlorës, në emër të subjektit “Ashel Grup”, i cili pas kontrollit fizik rezultoi se kishte një sasi të konsiderueshme mallrash me diferencë me deklaratën doganore.
Gjatë verifikimit të kontrollit fizik rezultoi një sasi prej 820 kg kafe e padeklaruar, me një detyrim doganor të munguar 214 730 lekë, dhe me penalitet në shumën prej 644.190 lekë.
Gjithashtu u konstatua edhe një kundravajtje administrative, ku në deklaratën transit të bërë nga subjekti nuk ishin deklaruar mallra të ndryshëm me peshë 1056 kg, ku u penalizua me shumën 3-fish të detyrimit doganor, i cili kap vlerën prej 868.020 lekë.
Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.
/r.e/












