TIRANË, 28 janar/ATSH/ Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kada e cilësoi sot programin ekonomik të prezantuar sot nga Partia Demokratike, si të parealizueshëm si në ideologji, dhe në praktikë.
Në një intervistë për një studio televizive, Kadia tha se nëse ky program do të vihej në realitet do të ishte fatkeqësia e tretë për vendin pas tërmetit dhe pandemisë.
Kadia tha se “premtimet që bëri Basha sot jo vetëm që nuk janë të realizueshme, por krijojnë një deficit të madh në buxhetin e shtetit, në një kohë që po mendohet rimëkëmbja e ekonomisë pas tërmetit dhe pandemisë dhe nuk duhen bërë premtime joracionale”.
“Programi i PD-së më kujton shprehjen ‘Me ne fitojnë të gjithë”. Pra jemi pak a shumë me të njëjtën filozofi dhe sjellje, premtime që duhet të bëhet kujdes dhe të jemi racional dhe të kujdesshëm me publikun. Ne jemi sot duke diskutuar për vështirësitë ekonomike, kemi një recesion që ndodhi në vitin 2020, ndodhi një tërmet të cilat janë dëme të mëdha ekonomike. Dhe kush është i përgjegjshëm e di që në këtë vështirësi duhet të menaxhosh situatën aktuale dhe të mendohet pastaj se si do të kalojmë këtë vështirësi, pasi të rimëkëmbemi. Pra është rimëkëmbja nuk është ekonomia në kushte normale apo në kushtet e një ekonomie që është në qetësinë e saj dhe mund të mendojmë disa alternime bazuar në ide ideologjike apo çfarë pretendon Basha”, tha ai.
Kadia tha se “në këtë rast jemi plotësisht të shkëputur nga realiteti dhe sfidat që ka ekonomia shqiptare”.
“Sa herë që thua do bëj këtë gjë, duhet të dish sa kushton ajo gjë në buxhet. Do heq taksën e qarkullimit po sa kushton? Kemi sot 600 mijë tonë që shpenzohen karburant në vit në Republikën e Shqipërisë dhe vetëm të ardhurat në buxhetin e shtetit janë 118 milionë euro në vit nga taksa e qarkullimit që presupozohet se po të hiqen këto para, do mungojnë. Nëse hiqen ku do t’i gjesh paratë për të kompensuar këtë vlerë buxheti?”, tha ai.
Lidhur me premtimin për uljen e sigurimeve shoqërore nga 24.5 % në 18%, Kadia tha se “kjo e çon deficitin me 186 milionë euro. Kjo në vetvete do alarmonte dhe FMN dhe Bankën Botërore dhe çdo ekspert ekonomie do thoshte kjo është e pamundur, mos e premto”.
Lidhur me premtimin për rritjen e pensioneve me 5 % në vit, Kadia tha se “është ide shumë e mirë dhe shpresoj dhe më shumë të rriten, por duhet të thuash skemën e madhe të financimit të tyre. Dhe konkretisht vetëm nga kjo është 48 milionë euro më shumë në buxhet”.
“Buxheti në vetvete vjen nga fjala e vjetër angleze ‘thes’. Ka dy mënyra nëse do e mbushim thesin, apo ta mbajmë thesin kaq sa është, ose siç po pretendohet ta shpojmë thesin. Këtu jemi në pretendimin se nuk do ketë më të ardhura, do ulen të gjitha taksat, por ndërkohë shpenzimet janë marramendëse dhe të parealizueshme. Mendoj se do të ishte fatkeqësia e tretë në Shqipëri, pas tërmetit dhe pandemisë nëse realizohet ky program ekonomik”, tha ai.
Kadia theksoi se “ka kontradikta ideologjike dhe në mundësi financiare. Që në ideologji ky është një buxhet si i shteteve më sociale të Europës, të cilat janë të pasura. Të pretendosh të paguash për ushqimin e fëmijëve, vetëm ajo si kosto shkon 88 milionë euro në vit. Pra e gjithë paketa, ose e gjithë qasja që është bërë është një politikë e një shteti shumë të pasur, të konsoliduar, industrial, që sot mendon për politika sociale, pra jemi në kontradiktë ideologjike. Në terma ekonomikë dhe financiarë është i paarritshëm dhe i parealizueshëm”.
“Situata ekonomike është e vështirë, por me vështirësitë që ka ekonomia shqiptare besoj se qytetarët duhet të bëjnë kujdes të mos gënjehen dhe pastaj të marrin ekonominë në qafë me premtime që janë të parealizueshme. Ne duhet të mendojmë për një qeverisje e cila duhet të marrë parasysh padyshim çdo lloj ideje, të gjithë grupet e interesit. Kjo është një varkë e përbashkët dhe kjo sfidë nuk ka të bëjë më me politika dhe parti politike, por ka të bëjë me menaxhimin dhe kush është më i aftë dhe më i qëndrueshëm që mos ta lejojë buxhetin e shtetit të shkalafitet”, tha ai.
Kadia foli edhe për strategjinë dhe programin që PS do të ndjekë për 2021, që do të fokusohet tek rimëkëmbja dhe se angazhimet e saj do të jenë me këmbë në tokë dhe realiste me ekonominë që kemi.
“Viti 2021 është një vit që nuk do të ketë rritje të borxhit dhe do të ketë konsolidim fiskal. Gjithashtu strategjia e re për investimet dhe biznesin. Këto të dyja përfshirë edhe me platformat e tjera për heqjen e burokracive dhe lehtësimit të procedurave shkon në kahun e modernizimit dhe krijimit të infrastrukturës institucionale. Viti 2021 do të jetë vit i një rimëkëmbjeje, i shëndetshëm dhe do të rikthehemi edhe më të fortë se më parë. PS deri tani ka pasur fokus mirëmenaxhimin e krizave. Në realitetin e ri ekonomik të krijuar po punohet për të qenë me një ofertë ekonomike të adoptuar me situatën. Ekonomia nuk është statike. Për të qenë ne serioz në po vazhdojmë në këtë rrugë”, tha Kadia.
Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besat Kadia tha se PS e ka treguar se është pranë shqiptarëve si me tërmetin, dhe me pandeminë, ndërsa në PD flitet vetëm për kalkulime politike dhe jo për ide, sikur qytetarët të ishin një plaçkë lufte.
“Nuk jemi në kushtet e një rotacioni për hir të rotacionit. Sfida e pandemisë dhe tërmetit janë shembulli që njerëzit e panë se çfarë është mirëmenaxhimi i shtetit. Në këtë këndvështrim patjetër që është e mundshme marrja e mandatit të tretë nga ana e Kryeministrit Rama. Po shihet që në Shqipëri kemi një krizë të mirëmenaxhuar. Sot nuk flitet fare për ide, por vetëm për kalkulime politike si të flitej për plaçkën e luftës dhe qeverisjen e qytetarëve”, tha Kadia.
/m.m/j.p/r.e/























