TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim ambasadorin e Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri.
Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri e njoftoi Kryetarin e Kuvendit se Emiri i Katarit ka vendosur zhvillimin për herë të parë të zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë të vitit 2021.
Gjithashtu, Ambasadori bëri të njohur edhe legjislacionin e ri të Shtetit të Katarit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe pranimin e punëtorëve të huaj në Katar.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i vlerësoi këto njoftime si lajme të gëzuara që vijnë nga Katari dhe një hap të rëndësishëm në avancimin e Shtetit të Katarit drejt valëve të demokratizimit, zgjerimit të lirive politike dhe të të drejtave të njeriut.
“Ky avancim është rezultat i vullnetit të drejtpërdrejtë të Vullnetit të Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit si edhe të rritjes së mirëqenies”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe ambasadori Al-Marri biseduan edhe për zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis të dy vendeve, rritjen e bashkëpunimit parlamentar dhe bashkëpunimin për luftën kundër korrupsionit./m.m/r.e/






















