Basha në Shkodër: Ekonomia ka 7 vite në krizë, pandemia vetëm sa e rëndoi gjendjen

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Shkodër ku zhvilloi një takim me një grup sipërmarrësish të vegjël.

Basha vlerësoi vendimin e kryetares së bashkisë Voltana Ademi për lehtësimin e barrës fiskale ndaj bizneseve gjatë pandemisë, por ndërkohë që dënoi bllokimin që i bëri kësaj lehtësie Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet farsë.

“Falënderoj kryetaren e Bashkisë për lehtësimet fiskale ndaj biznesit gjatë pandemisë por dënoj pengimin e lehtësirave nga Këshilli Bashkiak Shkodër. Ulja e taksave, lehtësirat, mënyra e drejtë për të reaguar në pandemi. Ekonomia ka 7 vite në krizë, por pandemia vetëm sa e rëndoi gjendjen. Sot ka dalë një studim se 4900 biznese janë mbyllur dhe Shkodra ishte një ndër zonat e prekura. Falimentimi i bizneseve është vetëm nga neglizhenca e qeverisë. Jam ndjerë i zhgënjyer nga mostejkalimi i ndasive politike në Këshillin Bashkiak në një situatë të tillë. Pengimi i vendimit të bashkisë për lehtësimin fiskal të biznesit, nga frika se modeli i Bashkisë së Shkodrës do t’i nxirrte zbuluar”, tha Basha.

Gjatë bisedës përfaqësuesit e biznesit ngritën një sërë shqetësimesh.

Basha tha se kjo pandemi vetëm sa nxori në pah krizën e thellë ekonomike nga keqqeverisja 7-vjeçare, prandaj ai tha se tani është koha për një ndryshim të madh.

“Taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të karburantit, sigurimeve shoqërore, rrit fitimet e biznesit. Programi ynë synon të ndërtojë rregulla të qarta, të zbatueshme dhe burokraci minimale. Taksa e sheshtë është një mënyrë për të shmangur abuzimet ndërkohë që dixhitalizimi largon taksidarët nga dera e biznesit. Inspektorët nuk mund të rrinë në derë të biznesit”, tha Basha.

“Shkodranët janë braktisur në luftën kundër pandemisë. Sipërmarrësit janë shumë të shqetësuar për ankthin që ka mbërthyer Shkodrën dhe për humbjen e shpresave se qeveria do t’u gjendet pranë. Xhiro e biznesit është përgjysmuar. Hoteleria po falimenton, fasoneria po dorëzohet. Dje, një numër rekord vdekjesh u regjistruan në Shqipëri. Për fat të keq, numrat e vërtetë që po fsheh Rama janë shumë më keq. Pandemia e gjeti Shqipërinë në një krizë të thellë, pas 7 vitesh gjatë të cilave Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin shëndetësor. Qytetarët e Shqipërisë janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm. Shqipëria është sot vendi që jep ndihmën ekonomike më të vogël për qytetarët e saj. Kostoja e jetesës në Shqipëri vazhdon të rritet, përfshirë çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe transportit. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri funksionale që punon për popullin dhe kujdeset për të. Ne do të kujdesemi për biznesin, ne do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, ne do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë”, tha Basha gjatë takimit me biznesin në Shkodër.

Në vizitën e zhvilluar sot në Shkodër, Basha zhvilloi një takim edhe me kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi. Në një prononcim për mediet pas këtij takimi, Basha tha se  “edhe në situatën e pandemisë Qeveria e ka braktisur Shkodrën dhe shkodranët”.

Sipas tij, vendi është në një situatë shumë të rëndë pasi është rritur papunësia dhe varfëria.

“Dje kemi pasur shifrën rekord të vdekjeve, por shifrat që fshihen nga Rama janë edhe më të këqija. Në këtë situata do duhet të merreshin të gjitha masat për shëndetin e qytetarëve. Kësaj situate i jepet përgjigje me veprime të vendosura për t’u ardhur në ndihmë familjeve që kanë humbur vendet e punës. Duhen veprime të vendosura për bizneset që kanë humbje”, tha Basha.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.