Kantieret e rindërtimit në Laç/ Ndryshojnë faqen e qytetit bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantieret e rindërtimit në Laç, ku janë hedhur themelet e ka nisur ngritja e kolonave të pallateve të reja të Zonës 1 të qendrës së qytetit, ku do të ndërtohet edhe shkolla e re.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “sapo ka nisur edhe infrastruktura e Zonës 2, e cila do të zgjidhë edhe problemin shumëvjeçar të përmbytjeve nga përroi i Laçit, për të vazhduar paralelisht me pallatet e reja, spitalin e ri, godinën e re të bashkisë dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar”.

Kryeministri vlerësoi veçanërisht këmbënguljen e kryetares së bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, lidhur me sistemimin e përroit të Laçit.

“Duhet ta dëgjojnë të gjithë laçianët që këtë përrua që ua ka nxirë jetën me dekada vetëm kjo këtu, Majlinda, kaq e vogël sa është, por që e ka sherrin e madh, mund ta bënte realitet. Ma ka bërë përroin e Laçit që më ka dalë në ëndërr e nuk më ndahej”, tha Rama.

Ndërsa vlerësoi standardin e punimeve nga pala turke, Rama kërkoi që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të mbajë të njëjtin standard me ndërtimet.

Deri tani në bashkinë e Kurbinit janë evidentuar 38 familje që fitojnë dy apartamente, pasi janë me dy kurora.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj theksoi se “politikën e rindërtimit ne  e kthyem dhe në politikë strehimi për të zgjidhur edhe kurorat brenda të njëjtës familje, ku shtëpia ishte e dëmtuar nga tërmeti”.

Ministri Ahmetaj theksoi se është hedhur bazamenti për ndërtimin e parkimit nëntokësor i cili do të ketë 2 kate dhe me kapacitet prej 400 vendesh, ndërkohë që janë edhe 524 apartamente.

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara tha se “falë investimeve të qeverisë, në Kurbin vijnë rreth 25 milionë dollarë investime, ndërkohë që 5 milionë dollarë janë vetëm financimi i shkollës dhe i godinës së bashkisë”.

“Është 2.8 km infrastrukturë që po realizohet. Me shembjet po vazhdojmë. Tani janë pastruar gati gjysma e inerteve, ndërkohë që jemi në punë. Po shembet një pallat sot, është mbaruar spitali, janë hequr dhe një pjesë e mbetjeve inerte të lagjes më lart. Po hapet sheshi për ndërtimin e apartamenteve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha ajo.

Po ashtu, Cara tha se “kemi në procedurë tenderimi dhe riparimet e mjediseve të përbashkëta të pallateve dhe të gjitha lagjet në Kurbin do të transformohen për shkak të riparimeve.

Ajo theksoi se në bashkinë Kurbin ndërtohen nga e para 6 godina arsimore, 4 shkolla dhe 2 kopshte dhe rikonstruktohen 3 të tjera.

“Afatet nga ne janë lënë shumë të shkurtra. Firmat duhet të punojmë ditë-natë që të kthehemi në normalitet”, tha ajo. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.