VJENË, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Ulja e emetimeve të dyoksidit të karbonit për mbajtjen nën dy gradë të ngrohjen globale do të jetë e pamundur pa termocentralet bërthamore, tha sot kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.
“Heqja dorë nga energjia bërthamore, si Gjermania, është një vendim politik. Zgjedhja politike është e ligjshme dhe vendet mund të zgjedhin njërën ose tjetrën politikë”, u shpreh ai.
“Por fakti shkencor është se energjia bërthamore është një emetues jashtëzakonisht i ulët i dyoksidit të karbonit. Është një fakt empirik që një e treta e energjisë së pastër është me origjinë bërthamore”, shtoi diplomati argjentinas në lidhje me daljen nga ernergjia bërthamore, që, pas Gjermanisë, është planifikuar gjithashtu në Zvicër dhe Belgjikë.
IAEA i përcakton burimet e energjisë së pastër si ato që lëshojnë pak ose aspak gazra serë dhe që përfshijnë energjinë bërthamore, hidroenergjinë, erën dhe diellin./ /ervo/























