TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti kryesor i vendit.
Gjatë një interviste në medie, ministrja Balluku shpjegoi rëndësinë e ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe Kukësit.
“Aeroportet janë shumë të nevojshme për shumë arsye, pasi kemi fluks të madh. Edhe sot aeroporti i Rinasit ka një fluks që arriti në 2019 mbi 2.3 milionë pasagjerë dhe sigurisht kapacitet janë të ezauruara si për përpunimin në pistë edhe të pasagjerëve”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, tha ajo, zona ku do të ndërtohet Aeroporti i Vlorës është një zonë me një numër demografik të konsiderueshëm pasi rrethohet nga Fieri, Berati, Gjirokastra etj.
“Ne Vlorën synojmë ta kthejmë në aeroportin kryesor në vend. Vlora do të ndërtohet me kapacitete të tjera me gjatësi tjetër piste. Sot në Tiranë nuk ulet dot një aeroplan transoqeanik. Duhet që koncesionari të ndërtojë një pistë më të gjatë se 3.2 km që këta avionë të akomodohen. Ne nuk mund të udhëtojmë kurrë në SHBA nëse nuk do të kemi një pistë më e gjatë se 3.2 km”, tha Balluku.
Sipas ministres, Tirana dhe Vlora do të jenë në një kompeticion të hapur, pasi do të ketë garë midis tyre, pasi do të jenë dy koncesionarë të ndryshëm, që do të sjellë ulje të tarifave, ulje të biletave, do të ketë shërbime më të mira që sot koncesionari i Tiranës nuk i ofron dhe këto shkojnë në përfitim të qytetarëve.
Vlora, deklaroi ministrja, do të ndërtohet me shpejtësinë që po ndërtohen aeroportet sot, jo më shumë se 36 muaj.
Ndërkohë, theksoi ministrja, aeroporti i Kukësit është rajonal, pasi është Prishtina, por banorët e Ferizajt kanë më afër Kukësin dhe është një aeroport që do të ndërtohet për nevojat e asaj zone.
Nëse ajo zonë ka emigracion në Veriun e Europës, shtoi Balluku, ato zona do të mbulojë.
Aeroporti i Sarandës, u shpreh Balluku, është një aeroport sezonal i cili do të akomodojë nevojat e fluturimeve të posaçme gjatë periudhës turistike nga prilli në tetor. “Do të jetë i njëjti koncept me atë që ka sot Korfuzi”, deklaroi Balluku./a.gjonaj//a.a/
.












