Ballina Aktualitet

Qendër e re shëndetësore në Maminas

TIRANË, 9 korrik/ATSH/- Në Maminas është ndërtuar një qendër e re shëndetësore, si një model i qendrave të kujdesit parësor, për nga infrastruktura dhe shërbimi që ofron.

Kështu e ka cilësuar këtë të fundit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke sjellë në vëmendje se rezultate të tilla pozitive vijnë si pasojë e bashkëpunimit me bashkitë dhe biznesin.

“Është ndër qendrat më të mira të Shërbimit Parësor dhe është një shembull i mirë se si bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë me pushtetin vendor dhe biznesin, mund të sjellin rezultate të tilla në shërbim të komunitetit”, – u shpreh Ministrja, gjatë vizitës në qendrën e re të Maminasit në Durrës.

Duke shprehur angazhimin e Qeverisë për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës në shërbimin shëndetësor parësor, ajo tha se ka nisur puna për rindërtimin e 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

“Vetëm në qarkun e Durrësit rehabilitohen 6 qendra shëndetësore këtë vit, në kuadër të programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në 4 vite, 80 prej të cilave rindërtohen këtë vit”, – tha Manastirliu.

Në qarkun e Durrësit këtë vit do të rikonstruktohen Qendra Shëndetësore nr. 5, Qendra Shëndetësore nr. 6 në plazh, pika e ambulancës në Porto-Romano, pika e ambulancës në Shetaj (Ishëm), Qendra Shëndetësore Shënavlash (Rrashbull) dhe Qendra Shëndetësore Derede në Krujë. Brenda vitit përfundon rindërtimi i 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. /z.tosku//m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQeveria, paketë solidarizuese me sipërmarrjen e vogël
Artikulli tjetërPërmbytjet në Japoni, ambasada shqiptare vë në dispozicion numra kontakti për shqiptarët