Ballina Kryesore

Qeveria, paketë solidarizuese me sipërmarrjen e vogël

Live: Fjala në Parlament

Posted by Arben Ahmetaj on E hënë, 9 Korrik 2018

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se paketa fiskale që i kemi propozuar për miratim Kuvendit është vazhdimësi e filozofisë dhe e programit të kësaj mazhorance për të ulur barrën fiskale për biznesin.

“Ne e çliruam sipërmarrjen nga duart në fyt që i kishte vënë qeveria e djathtë dhe po synojmë t’i japim Shqipërisë rritje ekonomike mbi 5% në mënyrë që të përfitojë çdo qytetar”, – u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, kjo paketë lehtësish që mund të quhet edhe paketë solidariteti e ndihmon sipërmarrjen e vogël të zhvillohet në favor të ekonomisë familjare.

Ministri theksoi edhe se ulja e pragut të deklarimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë nuk solli rritje çmimesh, ashtu siç u pretendua nga opozita.

“Opozita tha se nëse ulet pragu i TVSH-së do të rriten çmimet. E vërteta është sot se për të gjitha njësitë që preken nga ulja e pragut të TVSH-së është bërë sondazh i drejtpërdrejtë nga INSTAT. Rezultati është se inflacioni në muajt prill dhe maj rezulton në nivelet 2% sa çka qenë në vazhdën e gati 5 viteve”, – vuri në dukje kreu i Financave publike.

Madje, shtoi ai, kemi parë indeksin e mallrave që janë prekur nga ulja e pragut të TVSH-së dhe ka ulje çmimesh për shumë produkte.

“Ju e rritët borxhin. Ne jo vetëm kemi ulur taksat, por po ulim edhe borxhin. Kemi tre vite rresht që me operacionet tona nuk krijojmë borxh të ri”, – iu drejtua ministri opozitës.

Sipas tij, përmes politikave të ndërmarra kemi ulur barrën fiskale për 97% të qytetarëve dhe 91% të sipërmarrjes në vend.

Paketa e solidaritetit, siç e quajti ministri Ahmetaj, prek tre ligje fiskale, ligjin për TVSH-në, atë për taksat vendore, si dhe ligjin për të ardhurat.

Konkretisht, ulet tatim-fitimi për agroturizmin dhe për fermerët e inkorporuar në shoqatat e bashkëpunimit nga 15% që është aktualisht në 5%.

“Përmes instrumenteve fiskalë, si ulja e TVSH-së dhe tatim-fitimit, po promovojmë bashkimin e fermerëve, që politika e zhvillimit bujqësor të zbatohet më kollaj”, – tha Ahmetaj.

Jemi duke kuruar, shtoi ministri, atë problem që ka bujqësia, pasi i gjithë prodhimi është i bazuar në ngastra të vogla toke, ku teknologjia dhe faktorët e prodhimit që janë puna e kapitali nuk bëhen dot bashkë për shkak të këtij copëtimi.

“Ky është qëllimi i i lehtësimit fiskal që na çon drejt një konsolidimi të faktorëve të prodhimit që të rrisim produktivitetin e këtij sektori”, – vijoi më tej kreu i Financave publike.

Ndërsa duke prezantuar ndryshimet që prekin ligjin për TVSH-në, sipas të cilave ulet TVSH për akomodimin dhe ushqimin në të gjitha subjektet e certifikuara si agroturizëm nga 20% në 6%, ministri Ahmetaj theksoi se ne po synojmë të bëjmë Shqipërinë një vend konkurrues në rajon.

“Ndryshimet synojnë që oferta jonë turistike të jetë konkurruese”, – tha ai.

Ahmetaj iu dha përgjigje edhe akuzave të ngritura nga opozita duke risjellë në vëmendje premtimin e dhënë nga kjo mazhorancë për të avancuar mbështetjen fiskale për agroturizmin.

“Në vjeshtë të vitit të kaluar aprovuam paketën lehtësuese për investimet në strukturat e akomodimit me 4 dhe 5 yje. Paketa u godit nga opozita me pretendimin se ndihmon oligarkët, sepse opozita i quan investitorët oligarkë. Ne premtuam që shumë shpejt do të avancojmë mbështetjen fiskale edhe për agroturizmin”, – tha ai.

Paketa ka 3 elementë të rëndësishëm. Ofron ulje të tatim-fitimit në 5%, ulje të TVSH-së për akomodimin dhe ushqimin për agroturizmin nga 20 në 6%, si dhe për ato biznese që do të kenë rishtas investim në agroturizëm taksa e infrastrukturës është zero.

/a.gjonaj//m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrinci më i vogël i familjes mbretërore Louis, pagëzohet sot
Artikulli tjetërQendër e re shëndetësore në Maminas