Ballina Aktualitet

Investimet që transformojnë Vlorën

TIRANË, 8 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Ne e dimë se çfarë bëjmë për ta transformuar infrastrukturën e Vlorës”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të impiantit të përpunimit të ujërave në Vlorë.

Kryeministri u ndal te disa prej investimeve strategjike në këtë qytet.

“Janë disa investimet në infrastrukturën rrugore. Sot bulevardi i Vlorës është më një fund një kantier. Rruga është ngushtuar sërish si me Lungomaren, por ndryshe nga ai rast, në raport me rrugën e bulevardit vlonjatët nuk kanë ankesa. Ndoshta kanë kuptuar se  projektet duhen gjykuar në fund dhe se ne e dimë se çfarë bëjmë për ta transformuar infrastrukturën e Vlorës”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se “edhe bulevardi do të jetë një tjetër pikë referimi në aspektin e zhvillimit cilësor urban dhe krijimit të hapësirave urbane për njerëzit”.

“Kaluam segmentin e ri të rrugës së pyllit të Sodës, por na u desh të futemi për disa qindra metra në shtegun e dhive të tranzicionit, ashtu si e gjetëm Vlorën 4 vite e gjysëm më parë”, tha Rama, duke nënvizuar se “brenda këtij viti është në proces gare dhe pastaj do të nënshkruhet kontrata për të rindërtuar edhe segmentin rrugor nga pylli i Sodës deri te tregu i fruta-perimeve.

Ajo që mbetet, shtoi kryeministri “është që të futemi më thellë dhe të përmirësojmë infrastrukturën brenda blloqeve të banimit në lagje të caktuara të qytetit”.

“Jemi në proces për të filluar investimin për fazën e dytë të Lungomares, nga aty ku kanë mbetur punimet deri te tuneli. Kjo do të jetë një tjetër pjesë spektakolare që do t’i zërë vendin rrëmujës që mbizotëron në atë zonë”, shtoi Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “ka filluar procedura për rrugën shumë të rëndësishme të Orikumit deri në Llogara, nga porti i Jahteve deri te pika ku do të jetë edhe tuneli i Llogarasë”.

“Ndërkohë që pjesa tjetër e rrugës Radhimë-Uji i Ftohtë është një projekt që po e dizenjojmë bashkë me bashkinë e Vlorës dhe do të fillojmë ta financojmë, duke nisur nga viti i ardhshëm”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “vitin e ardhshëm do të jemi gati për të financuar edhe shëtitoren e Orikumit, e munguar për kaq shumë vite”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransformim mjedisor i gjithë zonës turistike
Artikulli tjetërAeroporti i Vlorës, me impakt të madh ekonomik e social