PRISHTINË, 6 korrik/ATSH/- Holanda do të mbështesë prodhuesit e qumështit në Prishtinë, kështu u theksua sot në Prishtinë në konferencën “Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë”.
Kryetari i shoqatës së prodhuesve të qumështit, Milazim Berisha, tha se “në kuadër të këtij projekti do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit dhe në bazë të analizave do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë”.
“Ky projekt do të ndikoj në ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen e fermerëve në prodhimtarinë e tyre për tregun vendas dhe atë europian”, u shpreh Berisha.
Ambasadori i Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke treguar për rëndësinë e këtij projekti për industrinë e qumështit në Kosovë, theksoi se “Holanda ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë dhe duhet të jetë model edhe për Kosovën”.
Sipas tij, për këtë arsye qeveria holandeze ka shprehur gatishmërinë e mbështetjes së këtij sektori në Kosovë.
Zëvendësministri i Bujqësisë Mevludin Krasniqi me këtë rast tha se projekti për trajnim dy vjeçar për stafin e industrisë së qumështit do të ketë impakt në produktivitetin e qumështit dhe në zhvillimin e këtij sektori.
Në 20 vitet e ardhshme kjo iniciativë është e rëndësisë së veçantë, sektori i qumështit konsiderohet sektor i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.
“Sektori i qumështit ka rëndësi për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së qumështit dhe rritjen e prodhimtarisë, meqë sektori i qumështit ka një rëndësi të veçantë”, tha ai.
Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, tha se “kjo agjenci ka mbështetur këtë sektor në mënyrë ndryshme për mbrojtjen e shëndetit dhe në realizimin e analizave”. /KosovaPress/k.s/





















