Ballina Shëndetësi

Vlerat ushqyese të shalqirit

578273202

TIRANË,2 korrik /ATSH/ – Shalqiri është një nga frutat e stinës së verës dhe në kushtet e klimës së Shqipërisë, ne kemi fatin ta konsumojmë nga vetë tokat tona. Përmban vlera të padiskutueshme shëndetësore dhe janë mjaft dietetikë, edhe pse disa mendojnë të kundërtën.

Energjia që i jep organizmit tonë konsumi i shalqirit nuk i kalon 16 Kcal. Ai shuan etjen dhe është ideal për ata që nuk duan të shëndoshen, pasi përmban gjysmën e kalorive që kanë frutat e tjera.

Efektet pozitive

Shalqiri është i pasur me disa substanca. Krahas ujit, në përbërje të tij gjejmë fibrat dhe kripërat minerale si: fosfori, kalciumi, natriumi, kaliumi dhe hekuri; vitamina A, C, B2, B1 dhe PP. Kuptohet që prania e lartë e mineraleve dhe vitaminave është me efekt pozitiv në organizmin tonë, për shkak të vlerës së tyre të padiskutueshme në mjaft reaksione të rëndësishme të metabolizmit.

Ajo që i jep frutit ngjyrën e kuqe janë lipocenet, të cilat gjenden edhe te domatet. Ato janë një substancë antioksidante që lufton me efektivitet plakjen e qelizave, duke sulmuar radikalet e lira të oksigjenit, si peroksidi dhe superoksidi, të cilat janë toksike për qelizat duke kontribuar në plakjen tonë. Lufta prej lipoceneve e kundërshton këtë efekt. Kjo është edhe arsyeja pse shalqiri lufton inflamacionin që provokohet nga astma, arterioskleroza dhe artriti. Gjithashtu, ai është një aleat i mirë kundër diabetit dhe kolesterolit.

Shalqiri ka edhe veti antitumorale. Ekspertët thonë se ai është efektiv në parandalimin e kancerit të zorrëve. Shalqiri mbron rrugët e frymëmarrjes dhe mëlçinë, është efektiv kundër celulitit dhe forcon sistemin imunitar.

Një studim i kryer kohët e fundit në Universitetin e Floridës ka dalë në konkluzionin se hipertensioni mund të mbahet nën kontroll duke konsumuar shalqi. Kjo për shkak të përmbajtjes me L-citrulinë, një aminoacid me rëndësi thelbësore për formimin e oksidit nitrik, i cili garanton ekuilibrin e presionit të gjakut dhe mban elasticitetin e mureve arteriale. /a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFleckenstein: Asnjë kusht shtesë për Shqipërinë, opozita të mos bojkotojë
Artikulli tjetërKosovë- Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat  e artistëve europianë