TIRANË, 27 qershor/ATSH/ – Deputeti i PS-së, Ilir Beqaj reagoi sot pas deklaratës së Kreut të PD-së Lulzim Basha i cili tha se do të vendosë një taksë të sheshtë 9 % mbi të ardhurat.
Lidhur me këtë, Beqaj shprehet se përtej diskutimit akademik çfarë janë taksa e sheshtë apo taksa progresive, në vijim po përpiqem të ilustroj se çfarë mund të ndodhë konkretisht me të ardhurat mujore të disa profesioneve të ndryshme në Shqipëri.
Duke u ndalur te kategoria e mësuesve të 9-vjeçares, Beqaj shprehet se “të ardhurat mesatare mujore të rreth 23 mijë punonjësve të arsimit 9-vjeçar janë rreth 54 mijë lekë”.
“Aktualisht, këta mësues marrin pagë neto mujore 44,880 lekë. Nëse zbatohet taksa e sheshtë 9 %, paga e tyre neto mujore do të jetë 43,100 lekë. Pra, seicili prej tyre do të marrë rreth 17,500 lekë më pak në muaj apo 210,000 lekë më pak në vit. Ndërsa të gjithë 23 mijë mësuesit së bashku do të paguajnë rreth 4,8 miliardë lekë më shumë taksa në vit”, ka shtuar ai.

“Mësues në arsimin e mesëm. Të ardhurat mesatare mujore të rreth 7 mijë punonjësve të arsimit të mesëm janë rreth 60 mijë lekë. Aktualisht, këta mësues marrin pagë neto mujore 49,400 lekë. Nëse zbatohet taksa e sheshtë 9 %, paga e tyre neto mujore do të jetë 47,900 lekë. Pra, seicili prej tyre do të marrë rreth 15,000 lekë më pak në muaj apo 180,000 lekë më pak në vit. Ndërsa të gjithë 7 mijë mësuesit së bashku do të paguajnë rreth 1,26 miliardë lekë më shumë taksa në vit”, ka shtuar Beqaj.






















