UASHINGTON, 19 qershor /ATSH-AFP/- Federata amerikane e Udhëtimeve i kërkoi Kongresit që të ndihmojë këtë sektor të goditur keq nga pandemia e COVID-19, e cila siguronte një në dhjetë vende punë në SHBA para krizës.
Profesionistët e industrisë, të cilët kanë zhvilluar takime virtuale që nga e hëna me anëtarët e Kongresit, kanë dhënë alarmin, duke paraqitur një bilanc të keq të situatës së tyre ekonomike.
“Ne kemi nevojë për ndihmë, mbrojtje dhe stimul për të ringjallur industrinë e udhëtimeve dhe për ta vendosur Amerikën në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike”, thanë industrialistët.
Shpenzimet e brendshme të udhëtimeve do të ulen me 40% këtë vit duke rënë në 583 miliardë dollarë. Përveç kësaj, shpenzimet e udhëtimeve nga vizitorët e huaj do të bien me 75%, nga 155 miliardë në 2019 në 39 miliardë.
Shkalla e papunësisë në këtë sektor u rrit në 51%, kur papunësia për ekonominë në tërësi ishte 13,3% në maj.
Që nga 1 maj, 8,1 milionë vende pune kanë humbur vetëm në industrinë e udhëtimeve./ /ervo/





















