TIRANË, 18 qershor/ATSH/ – Kuvendi rrëzoi sot tre dekretet e Presidentit.
Seanca plenare e ditës së sotme votoi kundër tre dekreteve e Presidentit të Republikës të cilët kthenin në Kuvend për rishqyrtim 3 ligje.
Dekreti “Për kthimin e ligjit nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”, mori 17 vota pro, 84 kundër dhe 5 abstenime.
Dekreti “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, u rrëzua me 16 vota pro, 83 kundër dhe 7 abstenime.
Dekreti “Për kthimin e ligjit nr. 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, u rrëzua me 17 vota pro, 81 kundër dhe 8 abstenime.
Sot u miratua me 90 vota pro, 14 kundër dhe 4 abstenim edhe Akti Normativ nr. 20, i datës 20 maj “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar””.
Kuvendi miratoi me 86 vota pro, 14 kundër dhe 6 abstenime edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.
Gjithashtu, në seancën e sotme u miratua me 91 vota pro, 10 kundër dhe 7 abstenime, projektvendimi “Për miratimin e strukturës dhe numrit të punonjësve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.
Kuvendi miratoi edhe katër projektrezoluta lidhur me raportet e veprimtarisë vjetore të dy institucioneve të pavarura përgjatë vitit 2019, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, si edhe projektrezolutën lidhur me raportin e Këshillit të Ministrave për ecurinë e procesit të integrimit për vitin 2019 dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” për vitin 2019 dhe për Planin e Veprimit për vitin 2020”.
/gj.mima/j.p/























