Ballina Flash

Plagosja në Shkodër, arrestohet autori

TIRANË, 29 prill/ ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e plagosjes së ndodhur këtë të mërkurë tek Ura e Bunës.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja rezulton me motive pronësie, teksa autori ishte me precedent penal të mëparshëm në fushën e krimeve të rënda ndaj personit. Policia sqaron gjithashtu se vijon kontrolli dhe priten polumbarët, pasi dyshohet se autori e ka hedhur në lumin Buna armën e krimit.

“Falë reagimit në kohë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lidhje me një konflikt që po ndodhte te Ura e Bunës dhe për pasojë ishte plagosur një shtetas, u bë e mundur që në kohë rekord të kapej dhe të shoqërohej në Polici autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje”,- njofton Policia.

“Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. I., alias B. I., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi ky shtetas, për motive pronësie, plagosi me armë zjarri shtetasin G. B, 50 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për gjetjen e armës, pasi dyshohet se autori, pas plagosjes, mund ta ketë hedhur armën në lumin Buna. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë”.”,- përfundon njoftimi i Policisë

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARKEOLOGJI – Zbulohet një shtizë 300 000-vjeçare
Artikulli tjetërCOVID-19/ Ish-futbollisti i Kombëtares, Edvin Murati gatuan ushqim për një spital në Francë