TIRANË, 21 prill/ATSH – A. Fortuzi/ Arrestohet një 50-vjeçar në Dibër, i cili hapi lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ dhe kërcënoi dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë.
Policia e Dibrës, të martën, njoftoi se vijon kontrolli i territorit, për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
“Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara në terren, kanë konstatuar se shtetasi Sh. B. kishte hapur lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Bar Kafe” në qytetin e Peshkopisë, shtetasi Sh. B, për shkak të detyrës, i ka goditur, kërcënuar dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrave të tyre për kontrollin e lokalit dhe shoqërimin e tij në komisariat”, bën me dije Policia.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 50 vjeç, banues në Peshkopi, si dhe u mor masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, për subjektin “Bar Kafe” në administrim të shtetasit të lartpërmendur”, sqaron Policia.
“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Kanosja”, “ Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik””, përfundon njoftimi i Policisë. /a.g//r.e/












