TIRANË, 13 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Ekonomia shqiptare po shënon një kthesë dhe këtë e dëshmon edhe rekordi historik me uljen e papunësisë në vend.
Kështu deklaroi të mërkurën, kryeministri Edi Rama nga Durrësi, duke u ndalur te zhvillimi ekonomik dhe rritja e punësimit në vend.
Në panairin e Punës në Durrës, sipas Ramës, janë afishuar 1047 vende të lira pune të të gjitha kategorive, me paga që variojnë nga 290 mijë lekë të vjetra në 700-800 mijë lekë të vjetra.
Kryeministri nënvizoi nevojën gjithmonë në rritje të tregut të punës për të pasur punonjës të kualifikuar dhe zanate ku kemi një mangësi të trashëguar dramatike për shkak të 25 viteve të kaluara pa asnjë sistem arsimi profesional.
Ndërkohë, sipas tij, arsimi profesional ka filluar të japë rezultatet e para.
“Dje doli edhe rezultati shumë pozitiv i uljes për herë të parë të papunësisë nën 13 % pas 22 vjetësh. Me gjithë progresin që ne po bëjmë kundër papunësisë dhe rritjes së punësimit ka disa aspekte të punës në Shqipëri që meritojnë adresim të qartë si kushte më të mira të punës, garanci për punonjësit etj”, tha Rama. /j.p/






















