Statistikat efektive i shërbejnë vendimmarrjes së duhur monetare

119

TIRANË, 13 qershor /ATSH/-Seria e seminareve rajonale mbi statistikat, organizuar nga BQE-ja, siguron një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi kërkesat statistikore, si dhe për hartimin e politikave dhe diskutimin e risive më të fundit në lidhje me çështjet statistikore të bankingut qendror.

Duke marrë fjalën në seminarin Rajonal mbi Statistikat, organizuar sot në Tiranë nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE), Guvernatori i BSH-së Gent Sejko u shpreh për rëndësinë e të dhënave të besueshme, të mjaftueshme dhe të ofruara në kohë, si element i domosdoshëm për vendimmarrje sa më të mira.

“Arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve nëpërmjet politikës monetare ka ndryshuar. Analizat ekonomike dhe financiare të bankave qendrore po mbështeten gjithnjë e më shumë te modelet komplekse, të cilat mundësojnë analizën e njëkohshme të ekonomisë reale, tregjeve financiare dhe ndërlidhjeve me partnerët e huaj tregtarë e financiarë. Për këtë arsye, cilësia dhe besueshmëria e informacionit statistikor ka rëndësi të veçantë”, tha Sejko.

Guvernatori bëri me dije se, gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka punuar në disa dimensione për pasurimin dhe përmirësimin e informacionit statistikor.

Që prej qershorit 2017, Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së dhe u angazhua në përmbushjen e disa kërkesave të rrepta për prodhimin, shpërndarjen dhe dokumentimin e të dhënave statistikore.

Gjithashtu, në kuadër të procesit të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për përafrimin metodologjik të statistikave me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre sipas acquis communautaire.

Statistikat moderne nuk perceptohen pa mbështetjen e fuqishme të teknologjisë së informacionit për mbledhjen, hartimin dhe shpërndarjen e tyre. “Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2017 ka përfunduar përfshirjen e të gjitha subjekteve raportuese pranë BSH në Sistemin Elektronik të Raportimit Rregullator. Gjithashtu, ka filluar projekti i “Automatizimit të procesit të hartimit dhe shpërndarjes së statistikave të sektorit të jashtëm”. Ky projekt përbën një themel të rëndësishëm për të ndërtuar një arkitekturë solide për zhvillimin e mëtejshëm të blloqeve të tjera statistikore”deklaroi Sejko.

Në këtë seminar merrnin pjesë përfaqësues nga bankat qendrore të vendeve të rajonit si dhe ekspertë e akademikë të fushës. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.