PRISHTINË, 12 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua në Montreal, Kanada me kryeministrin e Republikës Demokratike të Kongos, Bruno Tshibala Nzenze, me të cilin bisedoi për vendosjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Kosova sot është shtet i konsoliduar, e njohur nga 116 shtete dhe anëtare e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.
Duke e falënderuar për përkrahjen në Organizatën e Frakofonisë, Thaçi shprehu dëshirën që dy shtetet të fillojnë të bashkëpunojnë në sektorë të ndryshëm të jetës.
Kryeministri Tshibala u shpreh i kënaqur me mundësinë për t’u takuar.
“Të vendosim marrëdhënie ekonomike dhe të mësojmë nga përvojat e njëri-tjetrit”, theksoi presidenti Tshibala.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është e gatshme për bashkëpunim.
Presidenti Thaçi u takua me kryeministrin Tshibala në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), që po mbahet në Montreal të Kanadasë./k.s/






















