TIRANË, 16 mars/ATSH/ -Ulja e ndjeshme e temperaturave e ka detyruar bashkinë e Pukës të shtojë edhe më tej masat kundër përhapjes së koronavirusit.
“Stop, mos leviz. Nuk është më një kërkesë, por detyrim. Nisur nga ulja e ndjeshme e temperaturave na detyron të shtojmë edhe më tej masat. Ju e dini, COVID-19 favorizohet shumë në temperatura të ulta, thekson bashkia e Pukës.
“Gjatë këtyre dy ditëve në rrugët e qytetit është vrejtur levizja e kotë me automjete e grupeve të të rinjëve duke rrezikuar kështu seriozisht në krijimin e një zinxhiri përhapes të Virusit”, thuhet në njoftimin e bashkisë Pukë.
Bashkia nënvizon se, “përballë një situate të tillë, nga nesër në rrugët e qytetit nuk do të lejohet më qarkullimi pa shkak i mjeteve në gjithë rrugët, pjesë e bashkisë Pukë”.
“Prindër! Ju lutem mbyllini mjetet tuaja dhe mos lejoni fëmijët tuaj të përdorin kto mjete siç ka ndodhur gjatë këtyre dy ditëve. Është seriozisht rrezik!, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Pukës.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi që sigurisht është për të mirën tuaj. Për çdo rast moszbatimi, do të aplikohet masa e heqjes të lejes së drejtimit, Patentës për 3 vite si dhe bllokimi i menjëhershëm i mjetit. Lejohet vetëm levizja e automjeteve të shërbimit, si dhe atyre të transportit të mallrave”, thekson bashkia e Pukës.
“Nisur nga situata e krijuar e vetëizolimit nga nesër bashkia Pukë do të ofroj shërbime të furnizimit me ushqime dhe artikuj të tjerë të domosdoshme për të gjithë të moshuarit në vetmi, të cilët kurrsesi nuk duhet të dalin nga banesa. Bashkia Pukë po bën identifikimin e kësaj kategorie të popullsisë. Për çdo rast të këtyre kategorive ju lutem na njoftoni, ne do të ndërhym menjëherë”, bën të ditur bashkia e Pukës.
“Puka vazhdon të jetë ende e pastër, të pakten zyrtarisht. Në Shërbimin Spitalor dhe Repartin e Urgjencës deri këtë mbrëmje nuk është paraqitur asnjë rast i dyshuar me simptomat e COVID-19, përfundon bashkia e Pukës.























