TEHERAN, 5 qershor /ATSH-AFP/ – Irani njoftoi të hënën Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për vënien në zbatim të një plani për të rritur kapacitetin për pasurimin e uraniumit me shtimin e numrit të centrifugave, deklaroi zëvendëspresidenti iranian, Ali Akbar Salehi.
“Kjo nismë e ndërmarrë nuk shkel marrëveshjen për bërthamoren iraniane të nënshkruar në korrik të vitit 2015 në Vjenë, nga ku SHBA-ja u tërhoq më 8 maj”, saktësoi Salehi.
Sipas zëvendëspresidentit, i cili është gjithashtu kryetar i Organizatës Iraniane për Energjinë Atomike (OIEA), një ditë më parë u depozitua një letër pranë IAEA-së për fillimin e aktiviteteve të caktuara.
“Nese kushtet e mundësojnë, ndoshta që nesër në mbrëmje në Natanz ne mund të njoftojnë hapjen e qendrës për prodhimin e centrifugave të reja”, shtoi ai.
Salehi deklaroi gjithsesi se njoftimi i prodhimit të centrifugave nuk do të thoshte që do të nisnin montimin e tyre.
“Këto hapa nuk do të thonë që negociatat me Europën kanë dështuar”, theksoi Salehi duke iu referuar bisedimeve mes Iranit dhe Bashkimit Europian (BE), Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për të ruajtur pjesëmarrjen e Republikës Islamike në marrëveshjen e Vjenës pavarësisht tërheqjes amerikane./ /v.b/ a.jor.






















