Ballina Aktualitet

Rindërtimi, zemra e një programi ekonomik zhvillimi për të gjithë Shqipërinë

TIRANË, 18 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ “Këtë vit do të shohim një kthesë të re të madhe në ekonominë shqiptare. Rindërtimi me këtë ndihmë kthehet nga një projekt më vete, në zemrën e re të një programi ekonomik zhvillimi për të gjithë Shqipërinë”.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, i pyetur për kategoritë që përfitojnë nga dëmshpërblimet u shpreh se, “janë disa kategori sipas dëmeve dhe raportin nuk e kemi bërë ne. Raporti është bërë nga ne, plus Banka Botërore, OKB dhe BE. Pra janë ekspertë që merren me atë punë. Ka dëmshpërblime në para për ata që kanë dëmtime të një kategorie të caktuar të lehtë një shumë x, përsëri në para për ata që kanë dëmtime të një kategorie të caktuar pak më të rëndë, dhe ata që kanë humbur shtëpinë do të marrin shtëpinë. Ata që kanë humbur shtëpinë në fshat do të marrin shtëpi më të mirë se ç’kishin, kjo as nuk diskutohet. Raporti është bërë nga ata që i kanë të ditura standardet ndërkombëtare”.

I pyetur për ata që kanë shtëpi të dyta në Durrës, Rama tha se, “të gjithë apartamentet që janë në Durrës që janë dëmtuar, por që nuk janë për t’u shembur kanë filluar të meremetohen tani që flasim. Për të shemburat, patjetër që do të rindërtohen. Unë flas për meremetimet, nëse këtyre të kamurve të Tiranës që kanë shtëpi të dyta atje u është çarë një mur, unë them që mund ta bëjnë dhe vetë. Nuk ka qenë në shqetësimet e mia në pikën që të di ekzaktësisht se çfarë bëhet me ta”.

I pyetur se kur pritet të vijnë paratë nga donatorët, Rama tha se, “unë nuk jam në ankthin apo panikun se kur do të vijnë, sepse ne jemi komplet gati, që të gjithë ato që po them unë, brenda këtij viti do t’i bëjmë vetë, edhe sikur të mos vijnë fare. Edhe sikur papritur të thonë po i tërheqim të gjitha këto, sepse patëm një mesazh nga opozita shumë e besueshme shqiptare, që këto lekë nuk do menaxhohen mirë, prapë do të bëjmë këtë punë”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNegociatat/ Qëndrimi i Francës s’ka lidhje me Shqipërinë, nuk do të kishim marrë atë mbështetje në Konferencën e Donatorëve
Artikulli tjetërDonacionet amerikane/ Rama: Në vizitën time në SHBA, kërkova një Akademi Transparence pilot për Rindërtimin