TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Eksportet drejt Spanjës u rritën me gati 70% në muajin janar duke zënë 19.4% të vëllimit të përgjithshëm të eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në raportin mbi tregtinë e jashtme, eksportet shqiptare drejt Spanjës u rritën me 1 miliard lekë në muajin janar të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Në vlerë, eksportet në muajin e pare të 2020-s llogariten 2.4 miliardë lekë nga 1.4 miliardë që ishin në janar të 2019-s.
Referuar të dhënave peshën kryesore në vëllimin e eksporteve drejt Spanjës e zë grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Eksportet e këtij grupi ishin rreth 2.2 miliardë lekë nga 1.1 miliardë lekë që ishin në janarin e 2019-s.
Ndërkohë, rritje vërehet edhe në eksportet produkte kimike dhe plastike si dhe të artikujve të lëkurës.
Edhe importet e mallrave nga Spanja drejt vendit tonë janë rritur. Sipas INSTAT, ato llogariten 716 milionë lekë në janar të këtij viti nga 467 milionë lekë që ishin në janarin e vitit paraardhës./a.gjonaj/






















