TIRANË, 4 qershor/ATSH/ – Kuvendi do të ngrejë një nënkomisioni parlamentar për monitorimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kjo u konfirmua sot nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ishte i pranishëm në tryezën me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve efektive të punës midis institucioneve të larta të auditit dhe parlamenteve”.
Në këtë tryezë, KLSH prezantoi edhe strategjinë për zhvillimin e institucionit për periudhën 2018-2022.
Duke vlerësuar rëndësinë e rolit aktiv, cilësor dhe më vizionar të KLSH-së, Ruçi tha se “Kuvendi dhe KLSH janë partnerë për kontrollin e ekzekutivit”.
“Por kush i ruan “rojet”? KLSH është nën kontrollin e Kushtetutës dhe qytetarëve”, tha Ruçi.
Kuvendi, vijoi ai, krijoi mekanizimin ndërinstitucional parlament-qeveri-institucione të pavarura, si një instrument efikas për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ekzekutivi.
Ky mekanizëm, sipas tij, synon ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e kontrollit parlamentar si dhe rolit mbikqyrës dhe monitorues.
“Instrumenti i ngritur nga Kuvendi u përshëndet edhe nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë në prill 2018. Që në fillim të veprimtarisë së tij, mekanizmi përfshiu raportin vjetor të institucioneve të pavarura, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së”, shtoi Ruçi.
Mekanizimi i krijuar në Kuvend dhe Plani i tij i Veprimit, sipas kreut të Kuvendit, “janë në harmoni me praktikën dhe parimet më të mira europiane për marrëdhëniet midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit”.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, në fjalën e tij, e cilësoi mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin mes KLSH-së dhe Kuvendit.
Ai shprehu bindjen që kjo marrëdhënie jetike mes parlamentit dhe institucionit të lartë auditues duhet thelluar. Leskaj rikonfirmoi zotimin e strategjive të mëparshme të zhvillimit, që marrëdhënia KLSH-Kuvend të jetë optimale.
“KLSH do të shërbejë tërësisht si struktura numër 1 e informimit të Kuvendit për mirëadministrimin e pronës shtetërore, si për shumicën dhe për pakicën parlamentare, nëpërmjet raporteve periodike të saj si edhe takimeve të njëpasnjëshme me anëtarët e Kuvendit dhe posaçërisht të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave”, tha ai.
/m.m/ /a.g/















