Gjyqtarja e Kurbinit Marçela Shehu rikonfirmohet në detyrë, kalon skanerin e Vetingut

TIRANË, 4 qershor /ATSH- I. Vata/ – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rikonfirmuar sot në detyrë gjyqtaren e Kurbinit Marçela Shehu e cila rezulton të plotësojë të tre kriteret e përcaktuar nga ligji.

“Në përfundim të procesit të rivlerësimit të zonjës Shehu, trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici vendosi konfirmimin në detyrë të Marçela Shehut me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Gjyqësore të Rrethit Kurbin”, theksoi kryetarja e trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi.

Vendimi mund të  ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit  nga subjekti i rivlerësimit ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të KPK-së.

Sipas hetimeve të kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Shehu rezultoi e pastër në tre kriteret, atë të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional.

Seanca dëgjimore ndaj Marçela Shehut, nisi me datën 1 qershor në orën 10:00, dhe seanca për dhënien e vendimit u caktua me 4 qershor 2018, ora 10:00 kur dhe u konfirmua në detyrë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.