TIRANË, 1 qershor/ATSH/ – Qeveria ka kthyer vëmendjen drejt reformimit të arsimit profesional, si një rrugë që do të çojë në rritje të punësimit në vend.
Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë sot në punimet e Konferencës Kombëtare mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Politikat e Punësimit, deklaroi se nëse reforma e arsimit profesional do të ishte ndërmarrë rreth 20 vite më parë, sot punësimi në Shqipëri nuk do të ishte problemi kryesor.
“Ka një sërë pyetjesh që kërkojnë në vazhdimësi përgjigje të artikuluara, sepse e vërteta është se shumë shqiptarë në moshë pune nuk janë aktivë në tregun e punës. Një pjesë e tyre ende është në kërkim të një vendi pune. Sfidë për ne, mbetet aftësimi i tyre për tregun e punës”, – deklaroi Rama.
Sepse, shtoi kreu i qeverisë, është realitet i përditshëm ballafaqimi jonë me kompani që kërkojnë profesionistë.
“Në çdo kompani të madhe ka vende të lira pune. Problemi i kompanive është aftësia specifike për mbulimin nevojave të këtyre vendeve të lira të punës”, – u shpreh ai.
Ndaj tha Kryeministri Rama, del parësor reformimi i arsimit profesional.
“Ecuria e reformave ka sjellë rezultate dhe thellimi i tyre është e vetmja rrugë për të rritur më tej këto rezultate, përmes mbështetjes në të gjithë sektorët”, – u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas kreut të qeverisë, rilindja e sistemit të arsimit profesional dhe rritja me shpejtësi e numrit të nxënësve që po i frekuentojnë këto shkolla kanë nisur të japin shenjat e para të përfitueshmërisë për sistemin e arsimit, pasi janë sipërmarrjet ato që krijojnë vendet e punës.
“Qeveria ka përgjegjësi të mbështesë krijimin e vendeve të punës duke garantuar një mjedis ku jo vetëm ka mbështetje fiskale, apo në aspektin e zinxhirit të burokracisë, por edhe një furnizim me burime njerëzore cilësore, individë që kanë aftësi për t’u përfshirë në tregun e punës dhe mbushur vendet e lira”, – tha Rama.
Kryeministri, po ashtu e vlerësoi punën e bërë nga një grup deputetësh për hartimin e një raporti, i cili identifikon problematikat e punësimit.
Sipas raportit të hartuar nga deputetët, rritja ekonomike nuk është shoqëruar me të njëjtat ritme edhe në punësim, çka solli nevojën e analizimit të tregut për të evidentuar shkaqet.
“Raporti do të shërbejë për të identifikuar problematikat dhe për të orientuar e rekomanduar qasjen e qeverisë ndaj tyre. Ky raport që i dorëzohet qeverisë nga grupi i deputetëve harmonizon qasjen tonë dhe sjell një kontribut të çmuar në përsosjen e reformave”, – deklaroi Rama.
/a.gjonaj/ /a.g/











