Ballina Aktualitet

KQZ certifikohet nën metodologjinë BRIDGE

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u certifikua për Planifikimin Strategjik nën metodologjinë ndërkombëtare BRIDGE.

Ceremonia e sotme finalizoi përfundimin me sukses të trajnimit të parë të këtij standardi në Shqipëri.

Certifikimi BRIDGE synon të standardizojë kurrikulën e përdorur për rritjen profesionale të KQZ-së dhe edukimin zgjedhor me cilësinë më të mirë bashkëkohore, e cila përdoret në mbi 40 vende të ndryshme.

Ky program u mbështet nga Këshilli i Europës dhe zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike, nën ekspertizën e organizatës “IDEA International” me qendër në Suedi.

Shefja e zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gutzkow, theksoi rëndësinë e trajnimit i cili vjen në linjën e mbështetjes afatgjatë që KiE dhe OSBE po japin së bashku në lidhje me fuqizimin e kapaciteteve trajnuese dhe edukuese të KQZ-së, duke ofruar mbështetjen për kapacitimin e mëtejshëm dhe të qendrueshëm të aktorëve vendas me metodologjinë BRIDGE.

Ndërkohë, nënkryetari i KQ-së, Denar Biba vlerësoi rëndësinë e programit BRIDGE për rritjen profesionale të administratës së institucionit, si edhe mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Europës ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në fazën e dytë të tij, ky program do të realizojë certifikimin e ekspertëve të parë shqiptarë, të cilët do të zbatojnë standardet BRIDGE në trajnimet që zhvillohen për trupën zgjedhore dhe grupet e tjera të interesit në Shqipëri.

Ky certifikim i paraprin objektivave të reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR për ngritjen e një qendre trajnimi pranë KQZ dhe certifikimin prej saj të komisionerëve që do të përfshihen në zgjedhjet e ardhshme./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeklarimi dhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, afati i fundit 20 dhjetori
Artikulli tjetërMblidhet Asambleja e PS-së, Spiropali: Brenda fillimit të 2020 kompletohet ekipi drejtues i Tiranës