Ballina Bota

AUSTRI – Përfundon pa sukses takimi 6 orësh i OPEC-ut

VJENË, 6 dhjetor /ATSH-AA/ – Mbledhja e 177-të e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) i  ka përfunduar pa ndonjë konkluzion ose marrëveshje të mundshme, ministrat u larguan me nxitim pa iu përgjigjur shumicës së pyetjeve nga mediat.

Takimi i organizatës, i mbyllur për mediat, filloi me mbi dy orë vonesë dhe përfundoi pas pothuajse gjashtë orësh.

Ministrat e Energjisë dhe të Naftës së vendeve anëtare të OPEC-ut nuk ranë dakord për shtyrjen e marrëveshjes për uljen e prodhimit të naftës.

Konferenca për media që ishte planifikuar të mbahet pas të gjitha takimeve ministrore të OPEC-ut u anulua ndërsa më herët para takimit të tyre, gazetarëve nuk iu lejua të bëjnë pyetje për ministrat e OPEC-ut.

Ministri i Enegjisë i Arabisë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman dha pjesën më të madhe të komenteve për gazetarët, por përgjigjja e tij ishte e shkurtër pa ndonjë strategji përfundimtare në lidhje me atë që OPEC do të bënte për të mbështetur çmimet e naftës.

“Ne nuk mund të themi se kemi një marrëveshje derisa të takohemi me kolegët tanë jo anëtarë të OPEC-ut”, tha bin Salman.

Megjithatë, i pyetur nëse ekziston një marrëveshje midis anëtarëve të OPEC-ut, bin Salman u përgjigj shkurt duke theksuar “sigurisht”.

Dhjetë vendet prodhuese të naftës jo anëtare të OPEC-ut, përfshirë Rusinë, do të takohen sot me vendet anëtare të OPEC-ut në Vjenë.

Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, më herët u tha gazetarëve se “për tremujorin e parë të vitit 2020 OPEC-u ka këshilluar nje ulje e nivelit të prodhimit të naftës me 500 mijë fuçi në ditë’’.   /os/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSenati italian, takim solidariteti për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit
Artikulli tjetërSOFT NEWS -Rebelohet Salvini, nuk do të hajë më .. Nutella