Ballina Flash

KQZ vendos rinumërim në 313 vendvotime

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Ditën e martë, datë 8 tetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP), i cili është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, vendosi t’i hedhë poshtë si të palejuara kërkesat e subjekteve zgjedhore PDK, LDK dhe Koalicioni NISMA-AKR-PD për rinumërimin e të gjitha fletëve të votimit të procesit zgjedhor të 6 tetorit.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur sot që të kryhet rinumërimi në 313 vendvotime, ku 10 vendvotime do të rinumërohen, pasi sipas Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) këto vendvotime nuk kanë arritur të procesohen si të rregullta për shkak të parregullsive. Ndërsa 303 vendvotime, do të rinumërohen për shkak të gabimeve teknike në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, u shpreh se kanë rekomanduar që të rinumërohen 303 vendvotime për shkak se në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve shënimi i rezultateve ka filluar nga subjekti 112 dhe jo nga subjekti i parë 111.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, është shprehur se në këto vendvotime bëhet fjalë për gabim teknik dhe jo për manipulim. Ajo tha se formularët janë shtypur gabimisht dhe se fajtori për këtë gabim do të zbulohet gjatë ditëve në vijim.

“Duhet të deklarojmë që nuk jemi duke folur për ndonjë manipulim të komisionerëve, për ndonjë manipulim çfarëdo qoftë, po për një gabim teknik i cili ka ndodhur, duhet ta pranojmë për shkak të shtypjes së gabuar të formularëve”, – u shpreh Daka para gazetarëve.

Sa i përket rekomandimit të QNR-së që të rinumërohen edhe 10 vendvotime të tjera, kjo do të bëhet për shkak se këto nuk kanë mundur të kalojnë si të rregullta, pasi kanë pasur parregullsi gjatë pranimit të materialeve zgjedhore. Këto parregullsi kanë pasur të bëjnë kryesisht me numrin e shiritave të ndërruar, apo me mospërputhjen e numrit të zarfeve të fletëvotimeve me kusht me numrin e nënshkrimeve.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i PDK-së Ilir Gashi dhe ai i LDK-së Sami Hamiti, kanë kërkuar që të rinumërohen edhe 224 kuti votimit, të cilat sipas tyre kanë pasur përmirësim të votave. Por, kjo nuk është pranuar nga anëtarët e tjerë të KQZ, pasi sipas tyre QNR duhet të vazhdojnë me punën e saj dhe kur të evidentohen ato të sillet rekomandimi në KQZ për rinumërim të tyre.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe rekomandimi i anëtarit të KQZ nga LVV Adnan Rrustemi, për shtimin e numrit të vëzhguesve në QNR, ku u vendos që secila parti të ketë një vëzhgues në çdo tavolinë të numërimit të votave.

KQZ ka miratuar edhe dy rekomandime të QNR-së: i pari, për numrin e zarfeve dhe nënshkrimeve kur nuk përputhen dhe duhet të anulohen qoftë zarfi, apo nënshkrimi; dhe rekomandimi i dytë, që vendvotimet të cilat pas hetimit kanë rezultuar se janë në rregull, të procesohen si të rregullta. /KosovaPress/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Shahini takon rektorët e universiteteve
Artikulli tjetërHapja e negociatave, Juncker: Shqipëria ka bërë progres thelbësor, BE të mbajë premtimin