TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker theksoi sot në fjalën e tij gjatë një debati në Parlamentin Europian në kuadër të përgatitjeve për mbledhjen e Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë vërtet progres thelbësor.
“Kjo është arsyeja përse Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, Presidenti Tusk, Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Von der Leyen dhe unë iu drejtuam me një letër shteteve anëtare të Bashkimit Europian duke i nxitur ata që të bëjnë atë që u premtuan vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nëse Europa tregon vullnet të qartë, atëherë gjithmonë do të ketë një rrugë të qartë për arritjen e objektivave që kemi ndërmarrë”, – u shpreh Juncker.
Më tej, presidenti i KE tha se “do të marr shembullin e Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Korniza dhe perspektiva europiane kanë ndihmuar për të siguruar që një konflikt disa dekadash përfundimisht të zgjidhet. Dhe reformat e guximshme që ka ndërmarrë Shqipëria duhet të na inkurajojnë që ta shohim si të favorshme mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.
/z.tosku/r.e/























