Ballina Flash

Hapja e studimeve Bachelor në Forcat e Armatosura, Begaj: Përgatit liderët e së ardhmes, si në vendet e tjera të NATO-s

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura, nga viti i ardhshëm mësimor do të ketë sistemin e saj “Bachelor”, duke i hapur kështu rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor ushtarak në vendin tonë, duke përgatitur ushtarakët e rinj ashtu si në vendet e NATO-s.

Gjeneral brigade, profesor i asociuar, Bajram Begaj, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se Akademia e Forcave të Armatosura është një institucion që përgatit liderët e së ardhmes, të cilët kanë mundësi jo vetëm të drejtojnë ushtritë e vendit tonë, por dhe të ushtrojnë profesionin e ushtarakut në vendet e tjera aleate të NATO-s.

“Unë si drejtues i institucionit të Akademisë së Forcave të Armatosura, shpreh bindjen e plotë se Akademia Ushtarake, si institucion i vetëm ushtarak, i cili merret me trajnimin, arsimimin e oficerit, ushtarakut dhe civilit që punon në forcat e armatosura, se është një institucion arsimor si të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend, që duhet të përmbushë kriteret për të qenë në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë”.

“Ky ligj, – tha Begaj, – na obligon ne si institucion arsimor, që në bazë të disa kushteve të vëna nga Agjencia Britanike e Akreditimit, të plotësohemi me një status të veçantë të institucionit, për faktin se Akademia e Mbrojtjes ka specifikat e veta për Forcat e Armatosura, siç mund të kenë specifikat e tyre akademia e rendit, Akademia e Sporteve apo Akademia e Arteve.”

“Bazuar te ky fakt, ne si Ministri e Mbrojtjes, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Arsimit kemi ngritur një grup pune që po punojnë për përfundimin e statusit të veçantë të institucionit, që do marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave me një “VKM” të posaçme dhe që bënë të bindur plotësimin e kushtit të vendosur nga Agjencia Britanike e Akreditimit”, – sqaroi Begaj.

“Ne, bazuar në këtë status që do të miratohet, jemi të mundur që vitin tjetër të fillojmë vitin akademik bazuar në sistemin e ri, i cili përfshin ciklin e parë të programit të studimeve “Bachelor” dhe do të japim diplomën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”, – nënvizoi ai.

“Ne jemi përgjegjës për sigurinë kombëtare dhe Akademia e Rendit është përgjegjëse për Sigurinë Publike dhe besoj se me këtë përmbushim objektivat kombëtare që kemi për të përgatitur oficerin e ri, apo profesionin e ushtarakut, sepse është profesion dhe jo punë, për të qenë i njëvlefshëm arsimimi, siç është dhe në vendet e tjera të NATO-s”, – tha Begaj.

“Marrja e këtij statusi është e merituar, për faktin se këtu bëhet një punë voluminoze. Ka disa kurse institucionale që shërbejnë për të edukuar dhe arsimuar ushtarakun dhe jo vetëm. Ne kemi kurse të cilat përgatisim liderët e së nesërmes”, – shtoi Begaj.

“I përgatisim ata me aftësi, kompetenca profesionale që bëjnë të mundur që këta profesionistë të jenë të aftë kudo që të shkojnë, jo vetëm në vendin tonë për të drejtuar ushtrinë, por edhe në vendet e NATO-s, ku ne kemi vende të posaçme për të qenë në shtabet kryesore dhe përfaqësues të denjë të Shqipërisë në këto vende”, – vijoi ai.

Duke sqaruar ndryshimet në sistem, Begaj tha se me hapjen e sistemit “Bachelor”, nxënësit që përfundojnë gjimnazin do nisin Akademinë Ushtarake në bazë të modelit, “U- Albania”, ndërsa deri më sot studentët që kishin kryer sistemin Bachelor në fusha të ndryshme zhvillonin një kurs 10-mujor.

“Ne aktualisht, rekrutimin për profesionin e ushtarakut, oficerin e ri, kursin e oficerit të ri, e bëjmë pasi studentët kanë mbaruar studimin bachelor në fusha të ndryshme. Këta rekrutohen sipas një programi të caktuar, sipas një testimi, që bazohet te aftësitë individuale, testet intelektuale, fizike, psikologjike, shëndetësore dhe më pas këta i nënshtrohen një studimi 10-mujor për të përfunduar dhe për t’i shndërruar këta individë nga qytetarë civilë të zakonshëm, në ushtarakë me ndjenjën e atdhedashurisë dhe me atë mendësi për të qenë ushtarakë”, – tha Begaj.

“Tashmë, me miratimin e statusit me akreditimin dhe njohjen nga Agjencia Britanike dhe Ministria e Arsimit do të jepet dhe do të hapet drita jeshile për fillimin e studimeve bachelor, që do të thotë jo më studime 10 muaj për të qenë ushtarak, por do të bëhet sipas sistemit bachelor me 180 kredite, bazuar në 2 deri në 3 vite akademike dhe rekrutimi do të ndodhë sipas modelit U-Albania, që nxënësit pas përfundimit të shkollës së mesme do të aplikojnë për të qenë ushtarakë, ose bazuar te një model rekrutimi që ne e kemi të ngritur si pasojë e një konkurrimi brenda për brenda vetes”, – theksoi gjatë intervistës për ATSH, gjeneral brigade, profesori i asociuar Bajram Begaj. /a.f//r.e/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakE vetmja nga një vend jo anëtar i BE-së/ Armela Krasniqi zgjidhet në bordin drejtues të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve
Artikulli tjetërMagjia e akuarelit në Tiranë, prezantohen kryeveprat e 400 artistëve ndërkombëtarë