Magjia e akuarelit në Tiranë, prezantohen kryeveprat e 400 artistëve ndërkombëtarë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Veprat origjinale të rreth 400 artistëve që vijnë nga më shumë se 60 vende të botës u ekspozuan mbrëmjen e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të edicionit të tretë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit “Self –Portrait”, me kurator Helidon Halitin.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë morën pjesë Zëvendëskryetarja e bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, Abaz Hado, kritik arti, profesor Skënder Kamberi, si dhe kuratori i ekspozitës Helidon Haliti.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se është një privilegj të kemi për të dytën herë Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit, ku reflektohet qartësisht kualiteti, si dhe vlerat artistike të artistëve nga e gjithë bota.

Drejtori Koçi pasi falenderoi për bashkëpunimin në çeljen e kësaj ekspozite, uroi suksese të mëtejshme dhe bashkëpunime në aktivitet te tjera artistike e kulturore.

Zv.kryetarja e bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti u shpreh se duhet të ndjehemi mirë që kemi një aktivitet të tillë kulturor dhe artistik në mes të Tiranës, si dhe falenderoi të gjithë artistët të cilët kanë shoqëruar me veprat e tyre dhe u bënë pjesë e kësaj ekspozite.

Kjo ekspozitë është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët dhe për të promovuar pikturën me bojëra uji si dhe për të kthyer dhe njëherë vëmendjen tek zhanri i artit pamor në Shqipëri.

Përgjatë aktivitetit u dhanë dhe disa çmime, medalje dhe certifikata për artistët shqiptarë dhe të huaj.

Ky aktivitetet u bë i mundur falë bashkëpunimit me Shoqatën Kulturore VIZart dhe IWS Albania, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.