PEKIN, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Kina duhet të promovojë mënyra të reja për të rritur ekonominë dhe t’i intensifikojë reformat e saj ekonomike, thuhet në një raport të publikuar nga Banka Botërore, në sfondin e ngadalësimit ekonomik dhe të luftës tregtare Kinë-SHBA.
Pas tri dekadash me një rritje të fortë të ekonomisë, kryesisht nga eksporti i produkteve të prodhuara me kosto të ulët, vendi aziatik ka pësuar një rënie të ritmit të rritjes dhe PBB pas vitit 2010.
I bllokuar që prej vitit 2018 në një luftë tregtare me Uashingtonin, Pekinit i kërkohet rregullisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, që të ndërmarrë reforma strukturore, për të garantuar kushte të drejta konkurrence për firmat e huaja.
Kjo përplasje tregtare, që e ka vënë në vështirësi ekonominë kineze, ka çuar në imponimin reciprok të tarifave doganore mbi miliarda dollarë tregti vjetore.
Raporti i Bankës Botërore rekomandon gjithashtu një mbështetje më të madhe për biznesin e vogël e të madh privat kinez dhe reformimin e ndërmarrjeve shtetërore, shpeshherë jo shumë fitimprurëse./ /ervo/






















