TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Bashkia e Elbasanit po kryen ndërhyrjet e fundit në të gjitha shkollat, në mënyrë që të jenë gati për vitin e ri akademik që nis më 16 shtator.
Oborri i shkollës “Naim Frashëri” ishte i mbuluar nga bari dhe shkurret, ndërsa sot punonjësit e bashkisë kanë bërë pastrimin e tij.
“Ne po bëhemi gati për vitin e ri shkollor, duke u përpjekur të krijojmë kushte sa më të mira për të gjithë nxënësit. Shkolla “Naim Frashëri” është një nga shkollat më me emër në qytet dhe me një numër të konsiderueshëm nxënësish dhe detyra jonë është që shumë shpejt edhe në këtë shkollë të nisë rikonstruksioni për t’u bërë një shkollë model edhe për sa i përket infrastrukturës”, – bëjnë të ditur specialistët e bashkisë së Elbasanit.
Shkolla “Bardhyl Popa” në shtator do të presë nxënësit me kushte tërësisht bashkëkohore. Po ashtu shkollat “Ali Agjah”, “Qamil Guranjaku”, “Sulë Harri” apo disa shkolla të tjera në fshatra.
Nga ana tjetër, shkolla “Jorgji Dilo” po rikonstruktohet tërësisht, pasi sipas bashkisë së Elbasanit, ndërhyrja ishte emergjente.
Ndërkaq, sipas bashkisë së Elbasanit, shumë shpejt të gjitha institucionet arsimore do të jenë në kushte optimale për të pritur vogëlushët. /z.tosku/r.e/





















