Ballina Bota

MELBURN – Australia i bashkohet koalicionit ndërkombëtar në zonën e Gjirit

MELBURN, 21 gusht /ATSH-AA/ – Australia do të kontribuojë nga ajri dhe toka për koalicionin që do të formohet nën kryesimin e SHBA-së dhe Britanisë për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi kryeministri i vendit Scott Morrison.

Duke folur në një konferencë për media në Parlamentin Federal në Kanberra së bashku me ministren e Mbrojtjes, Linda Reynolds dhe shefin e ushtrisë, Angus Campbell, Morrison tha se “vendi i tij do të ofrojë mbështetje për koalicionin me avionë vëzhgimi dhe luftanije”.

Ai theksoi se “lëvizja e lirë e naftëmbajtëseve në këtë rajon është në interes të Australisë, ndërsa shtoi se pengimi i transportimit përbën kërcënim për interesat kombëtare të vendit të tij”.

“Pra, është një kërcënim potencial ndaj ekonomisë sonë”, shtoi Morrison.

Morrison dhe ministrja e mbrojtjes Reynolds njoftuan se roli i Australisë në koalicion do të jetë i kufizuar vetëm me ruajtjen e rrugëve të transportit dhe se 200 ushtarë do të angazhohen në avionët vëzhgues dhe luftanijet që do të ofrojnë mbështetje për koalicionin.

Më 10 korrik, SHBA njoftoi planet për krijimin e një koalicioni ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat në afërsi të Iranit dhe Jemenit, pas sulmeve ndaj dy naftëmbajtëseve në qershor, për të cilët Uashingtoni ka akuzuar Teheranin. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasada e SHBA-së studentëve të interesuar: Vizitoni qendrën Education USA Albania
Artikulli tjetërDyfishohen shërbimet konsullore, Cakaj: Shifër rekord