UASHINGTON, 12 maj /ATSH-AFP/ – Donald Trump njoftoi sot një plan veprimi për uljen e çmimit të barnave në SHBA, nga më të lartat në botë, por opozita demokrate e akuzoi se nuk po vepronte sipas premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore.
”Ne do të rrisim konkurrencën dhe zvogëlojmë pengesat ligjore në mënyrë që barnat të arrijnë në treg më shpejt dhe më lirë”, u shpreh presidenti amerikan gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Sekretarit për Shëndetësinë, Alex Azar.
”Ne duam të anashkalojmë personat ndërmjetësues, të cilët janë bërë shumë, shumë të pasur”, theksoi ai.
Plani në thelb ka për qëllim uljen e çmimit të barnave për personat e moshuar dhe pensionistët të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore ”Medicare”, por plani nuk parashikon mundësinë e ngritur nga Trump gjatë fushatës zgjedhore, për të lejuar ”Medicare” që të negociojë drejtpërdrejtë çmimin e barnave me kompanitë farmaceutike për çmime më konkurruese.
Duke përshëndetur iniciativën e presidentit republikan që shënjestron grupet farmaceutike, senatorja demokrate, Claire McCaskill njoftoi në një deklaratë se nuk kuptonte arsyen përse presidenti hoqi dorë nga ideja e tij për të lënë ”Medicare” të negociojë drejtpërdrejtë çmimin e barnave, gjë që do të ishte në interes të ‘miliona amerikanëve./
/v.b























