Ballina Ekonomi

Importi i makinerive, hapat për përjashtimin nga TVSH

TIRANË, 12 maj/ATSH/- Biznesi i vogël, i cili do të importojë makineri prodhuese dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre është i përjashtuar nga TVSH-ja në import.
Por, sipas të dhënave nga administrata doganore për të përfituar nga kjo lehtësi fiskale, biznesit i duhet të paraqesë në degën doganore përkatëse disa dokumente.

Biznesit i duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet edhe një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it
Po ashtu, nevojitet vërtetim nga drejtoria rajonale tatimore ku përcaktohet se importuesi është person i tatueshëm që i nënshtrohet regjimit të biznesit (ndërmarrjeve) të vogla dhe ushtron aktivitet prodhues si dhe kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR).

Njëkohësisht duhet të paraqesë të dhëna për llojin dhe sasinë e makinerive prodhuese që do të importohen me kodet tarifore përkatëse dhe për periudhën e instalimit.

Këto dokumente duhet të shoqërohen me deklaratën e personit të tatueshëm që makineria apo pajisja, për të cilën kërkohet përjashtimi, nuk është importuar për qëllime shitjeje

Për dhënien e autorizimit ndiqen disa hapa që lidhen me shqyrtimin e dokumentacionit miratimin e dosjes dhe lëshimin e autorizimit për përjashtimin nga TVSH-ja.

Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen, të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë dhe të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
/a.gjonaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPORT- Dani Alvesh dëmtohet dhe humbet botërorin Rusi 2018
Artikulli tjetërSPORT- “Reali” mendon seriozisht blerjen e Neymar, gati 600 mln euro