TIRANË, 19 gusht /ATSH/ – Mauro Icardi kërkohet me ngulm nga “Napoli”, drejtuesit e të cilit i kanë kërkuar argjentinasit të “Interit” që deri në fund të javës të ndajë mendjen nëse do të pranojë ofertën e tyre ose jo, për të shfrytëzuar javën e fundit të merkatos për ndonjë objektiv tjetër.
Oferta e “Napolit” për “Interin” është 65 milionë euro plus bonuse të ndryshme, ndërsa për Icardin është gati një kontratë me pagë prej 7 milionë eurosh plus bonuset që e çojnë në 9 milionë euro neto në sezon.
Por së fundi për të shqetësuar “Napolin”, në garë është futur edhe “Monaco”, që i ka ofruar Icardit një pagë prej 11 milionë eurosh neto në sezon, ndërsa për kartonin e tij është gati të paguajë deri në 70 milionë euro.
Megjithatë vlen të theksohet se destinacioni francez nuk është shumë i preferuar nga argjentinasi, aq më tepër se bashkëshortja e tij do të vazhdojë të punojë në Itali, ndërsa fëmijët do të vazhdojnë të arsimohen në Milano.
/gj.m/j.p/












