Në kantinën “Çobo”, prej nga vera shqiptare shkon deri në Azi e Amerikë

TIRANË, 19 gusht /ATSH/- Kantina “Çobo” është model suksesi në prodhimin e verës shqiptare, me standarde të larta prodhimi, që eksporton nga Berati në Zvicër e deri në kontinentin Aziatik dhe Amerikë, pasi është zhvilluar vijimësisht edhe me mbështetjen e  skemave të qeverisë.

Petrit Çobo, një prej pjesëtarëve të familjes sipërmarrëse, tregon se “në vitin 1993 kur të gjithë prishnin vreshtat, ne e mbollëm këtë vresht me fitimet e para që unë dhe im vëlla kishim fituar nga emigrimi në Itali. Me ndihmën e babait kemi arritur të kemi sot vreshtat e fermës tonë. Janë këto hardhi që na kanë bërë të dashurohemi me vreshtin dhe verën. Këtu janë mbjellë fara autoktone rrushi “Sheshi i Bardhë” dhe “Sheshi i Zi”, prej të cilave prodhojmë verën e kantinës tonë që është mjaft e kërkuar sot edhe në tregun e huaj”.

Petriti shprehet se, është i lidhur aq shumë me vendlindjen e tij, fermën me vreshta sa nuk do ta ndërronte këtë vend me asgjë në botë. Madje shton ai, për këtë investim edhe babai ynë është aq xheloz, sa që do ta prekë vetë çdo punë në vresht.

“Ne punojmë me pasion dhe dëshirë që pa lindur dielli e deri në mbrëmje vonë dhe i jemi  përkushtuar prodhimit të verës në kantinën tonë, pasi vera është një produkt që rrit prestigjin e një vendi. Vera e mirë, nuk identifikon vetëm verën “Çobo” por me prodhimin e verës cilësore ne identifikohemi me emrin Shqipëri”, – thotë ai.

Produkti është “Made in Albania”, jo thjesht “Çobo”, thekson Petriti.

Ai tregon se, si gradualisht sipërmarrja e familjes “Çobo” ka zgjeruar sipërfaqet e mbjella me vreshta. Në një zonë ku toka isha e pashfrytëzuar, ne ia dolëm të mbjellim 28 ha me rrushin autokton “Pulsi”. Këtu është një mrekulli e natyrës me bimësi të larmishme, shijet e së cilës transmetohen te rrushi që kemi mbjellë, prej të cilit prodhojmë verën me shijen e veçantë. Ndërsa në 8,6 ha është një sipërfaqe tjetër e mbjellë me farën e rrushit “Vlosh” prej të cilës prodhohet vera e kuqe e Beratit.

“Pozita gjeografike e përshtatshme ku shtrihet vreshtat e kantinës “Çobo” na ka zgjuar idenë për zhvillimin e një projekti në agroturizëm, pasi këtu në 360 gradë, shikon detin kalanë e Beratit dhe horizontin e pafund, si një atraksion të përkryer të natyrës”, – thotë Petriti.

Në Kantinën “Çobo”, në ambientet e vjetërimit të verës, që siç e quan Petriti “Tempull” ku vera përthith cilësinë, gjenden vera e depozituar në fuçi të posaçme. Ndërsa “Shënda” ose vera e gazuar, është prodhimi më i ri i kantinës që është nderuar me çmim ndërkombëtar në Belgjikë, që në fillimet e prodhimit të kësaj pije.

Sot Kantina ka krijuar historinë e saj me prodhime të verës të koleksionuar që në vitin 2000. Ndërkohë që është kthyer në një oaz degustimi nga turistë e vizitorë të shumtë.

Petriti thotë se, mbi 12 mijë turistë kanë ardhur vitin e kaluar në Kantinën tonë dhe ata jo vetëm shijojnë e provojnë verën por edhe e blejnë atë duke marrë një verë nga Shqipëria në vendin tyre, që siç thotë ai, “është një mesazh i mirë për vendin tonë”.

Kantina “Çobo” prodhon 7 katër lloje vere dhe eksporton në Zvicër, Malajzi, Amerikë e Kinë. Ndërsa vera e “Kuqe e Beratit” që ka ngjyrë të ndezur, e lidhur me të kuqen e Onufrit është vera me të cilën krenohet kantina “Çobo” e nderuar disa herë edhe me çmime ndërkombëtare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.