Ballina Aktualitet

Betohet kryebashkiakja e Urës Vajgurore, konstituohet këshilli bashkiak

TIRANË, 2 Gusht /ATSH/ -Kryebashkiakja e re e Urës Vajgurore, Juliana Memaj është betuar në ambientet bashkisë gjatë mbledhjes së parë të këshillit bashkiak për mandatin 2019-2023.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Turizmit, Blendi Klosi, prefektja e qarkut të Beratit Valbona Zylyftari dhe zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.

Ky këshill ka në përbërje 21 këshilltarë, nga ku 15 janë të PS, dhe 6 nga partitë e vogla. Kryetari i këshillit bashkiak u zgjodh unanimisht Hysen Hoxha.

Në fjalën e saj kryebashkiakja e re në detyrë deklaroi se e presin shumë sfida.

“Ajo që kemi qëllim të përbashkët është që do të bëjmë të mundur transformimin e Urës Vajgurore. Pasi mandatin e parë kishim synim ta nxirrnim nga emergjencat që e kishin ndjekur prej vitesh këtë bashki. Sot nëpërmjet transformimit , duke pasur si qëllim të vetëm rritjen e mirëqenies së banorëve të këtij komuniteti dhe amplifikimin e identitetit të tij si një portë hyrëse në qarkun e Berati ne së bashku do të bëjmë më të mirën për këtë komunitet”, tha Memaj.

I gjithë procesi i konstituimit u zhvillua i qetë dhe pa asnjë incident.

Memaj rezultoi fituese në zgjedhjet e 30 qershorit dhe e drejton këtë bashki për mandatin e dytë radhazi.

/gj.mima/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPD kërkesë prokurorisë për verifikimin e figurës së Valdrin Pjetrit
Artikulli tjetërKINË – Port i ri për hedhjen e raketave hapësinore nga deti