Ballina Ekonomi

Plan veprimi kundër ndërtimeve pa leje

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot hedhjen menjëherë në veprim të Policisë së Shtetit për të identifikuar, ndaluar e penalizuar çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm kudo në hapësirat urbane ku cenohet prona publike e tjetrit apo çdo zonë strategjike për zhvillimin, duke filluar nga vija bregdetare.

Kryeministri iu referua situatës së kontrollit në territor sidomos përgjatë vijës bregdetare, duke theksuar se “përgjatë kësaj periudhe janë vënë re shenja negative riaktivizimi të veprimtarisë së paligjshme”.

“Po ashtu nuk është pozitiv fakti se jo të gjitha strukturat dhe punonjësit e Policisë e kanë përvetësuar plotësisht konceptin se ky aktivitetet i paligjshëm është drejtpërdrejt objekt i punës së tyre, përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejt e Policisë së Shtetit, ashtu si edhe veprimtaritë kriminale dhe kundravajtjet e përcaktuara si objekt i punës së saj”, tha Rama.

“Është bërë një përparim i jashtëzakonshëm në marrjen në kontroll të territorit edhe në këtë aspekt, por dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet e planifikuar, organizuar dhe zbatuar njësoj si ofensiva shfarosëse e kanabisit. Çdo komisariat dhe punonjës policie në terren duhet të ketë të qartë zonën e mbulimit me vëzhgim të këtij fenomeni dhe po njësoj si me kanabisin, duhet të të monitorohet për performancën përkatëse duke liruar nga detyra dhe penalizuar ligjërisht këdo që kapet në kushtet e mbylljes së syve përpara  këtij fenomeni”, tha Rama.

Shqipëria, theksoi ai, “është shumë e vogël dhe ka humbur shumë në këto dekada për shkak të fenomenit gërryes e shkatërrues të ndërtimtarisë së paligjshme”. “Kthesa pozitive e marrë vitet e fundit duhet t’i shkohet deri në fund dhe kjo shtysë e menjëhershme përpara duhet të nisë menjëherë në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit si dhe me pushtetin vendor të zonave bregdetare në radhë të parë”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPEKIN – Li premton hapjen e ekonomisë kineze
Artikulli tjetërStrazimiri: Rama po përdor policinë për represion ndaj shqiptarëve