TIRANË, 19 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama e cilësoi si të turpshme djegien e ambienteve të shkollës mbrëmjen e të martës në Shkodër.
Në një bashkëbisedim me banorët e njësisë administrative Nr. 1 në Tiranë, Rama tha se, “vështirësitë na stimulojnë. Duhet t’i kuptojmë dhe ata janë në hall të madh. Fatkeqësi e madhe shumë, po nuk kanë çfarë të bëjnë, janë përpjekje të dëshpëruara, grahmat e fundit. Do bëjnë akoma edhe ca sherre të tjera, po nuk kanë asnjë të ardhme. Janë pa të ardhme. Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme. Është e gjitha një përpjeke e dëshpëruar. Nuk kanë asnjë mundësi të bëjnë gjë sepse nuk kanë popullin me vete”.
Sipas kryeministrit është e qëllimshme e gjitha. “Është për televizor, për fotografi, për ta çuar jashtë që ky vend nuk meriton të hapen negociatat. Sepse kanë tmerrin, që po u hapën negociatat, fillon kapitulli i drejtësisë dhe aty pastaj nuk ka më. Siç ka ndodhur në vende të tjera. Me krijimin e provave që shteti i së drejtës funksionon. Siç ka ndodhur gjithandej”.
Kryeministri u shpreh se opozita tashmë s’ka ç’bën më dhe merret me përgjime që duhet të ishin hetuar dhe provuar.
“Ato biseda i bëj prapë dhe s’kam asnjë. Janë biseda për fushatën elektorale, për komisionerët, për objektivat. Po prandaj i mundim ata se jemi të organizuar. Po ata ngaqë i bëjnë vetë këto punë mendojnë se i bëjmë dhe ne. Ajo histori kishte të bënte me Flamur Nokën dhe ca rrugaçë që godisnin njerëzit po ça ti bësh”, – tha Rama.






















