https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155790662301523/?t=1550
TIRANË, 7 maj/ATSH/- Ndryshe nga çfarë janë mësuar qytetarët ku ministrat, deputetët shfaqen pranë qytetarëve vetëm në prag të fushatave elektorale, qeveria ka vendosur të japë llogari pa nevojën e votave.
Kështu u shpreh Kryeministri i vendit, Edi Rama i ftuar në TV Lezha disa minuta më parë. Ai e cilësoi një fushatë të shëndetshme, pasi sipas tij është inkurajuese.
Kryeministri Rama e ka konsideruar fushatën e llogaridhënies, një fushatë të mirëfilltë dhe të shëndetshme për të kuptuar problematikat, ndërsa ka thënë se kjo do të vijojë në 61 bashkitë e vendit. Ai theksoi se tashmë qytetarëve u është dhënë një instrument i rëndësishëm për të denoncuar rastet dhe për këtë u duhen vetëm 3 minuta nga koha e tyre.
“Njerëzve u kemi dhënë në dorë një instrument që nuk e kemi pasur më parë dhe që është shqipëriaqëduam.al. Pra pa nevojën e një miku, çdo qytetar mund të shkojë tek ministri përkatës dhe qytetarëve u jepet zgjidhje brenda 10 ditëve. Ne bëjmë hetimet tona dhe ka pasur raste kur ka pasur procedime penale për personat përgjegjës”, – tha Rama.
I pyetur nga gazetarja lidhur me rrugën e Torovicës, Kryeministri tha se “… ne kemi marrë përsipër ta adresojmë këtë problem brenda këtij mandati dhe besoj do e mbajmë fjalën”.
Mbi ankesat e qytetarëve të Lezhës për mbifaturimin në faturën e energjisë, Rama tha se këto raste përbëjnë më pak se 1% të faturimit.
“Rastet e ankesave për mbifaturim janë më pak se 1% të faturimit. Është tipik rasti kur qytetarët nuk duhet të humbasin kohë, por të përdorin platformën. Një pjesë e tyre janë pranuar nga OSHEE dhe janë zgjidhur. Pra duhen vetëm 3 minuta tek shqipëriaqëduam.al për ankesën”.
Lidhur me kandidatët për kryetarë bashkie që partia socialiste do të përzgjedhë, Kryeministri tha se ambicia e qeverisë është që të marrë më shumë mandate se në zgjedhjet e kaluara
“Ne kemi ambicie të rikonfirmohemi aty ku jemi dhe të konfirmojmë edhe disa bashki të tjera që kanë nevojë për dorën tonë. Kemi menduar disa forma të reja, por besoj se mbi eksperiencën që kemi do të vendosim shumë kandidatura fituese”, – theksoi Rama.
Për bastionet që njihen si të djathta, ai tha se janë qytetarët që do të bëjnë vlerësimet mbi atë çka duhet, por nuk mohoi ambicien për t’i pasur ato.
Gjatë intervistës, gazetarja e TV Lezha e pyeti Kryeministrin edhe për çeljen e negociatave. Ai mohoi çdo zë që pohon se ka pasur komente negative për Shqipërinë nga ana e Gjermanisë. “Nga Gjermania nuk ka pasur komente negative, por pyetje”. Ai shprehu bindjen e plotë që do të luftojë deri në fund për çeljen e negociatave.
“Unë jam shumë luftëtar nga natyra dhe nuk dorëzohem kurrë. Unë po luftoj së bashku me të tjerë për t’ia arritur”.
Për reformat e nisura tashmë si dhe për ata që vetë Rama i quan të “tepsisë”, ai pranoi se edhe pse procesi për t’i eliminuar ka nisur, ka ende rezistenca të brendshme.
“Ka filluar procesi dhe do të jetë një proces i vështirë. Ka rezistenca të brendshme që nuk mohohen”. Sipas Ramës, qytetarët janë ata që duhet të denoncojnë ata të “tepsisë”, të cilët sipas tij nuk kanë ngjyrë politike. /z.tosku//r.e/























